Reagimi i Ministrit Manjani lidhur me deklaratat mbi arrestimin e shtetasit K. Balili - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 15/12/2016

Reagimi i Ministrit Manjani lidhur me deklaratat mbi arrestimin e shtetasit K. Balili

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani, i pranishëm në punimet e Forumit Ministerial të Ballkanit Perëndimor për Çështjet e Drejtësisë dhe ato të Brendshme, ka reaguar lidhur me deklaratën e një dite më parë të Ambasadorit të SHBA-së.
“Mbështes plotësisht shqetësimin e shprehur ditën e djeshme nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Lu në lidhje me mos arrestimin e shtetasit K. Balili.

Gjej rastin t’ju informoj, se sikurse edhe mund të jeni në dijeni prej 7 muajsh dhe në mënyrë të përsëritur e kam shprehur dhe publikisht këtë shqetësim.

Mostrajtimi apo trajtimi i gabuar i kësaj çështje nuk mund t’i barazojë institucionet e shtetit në përgjegjësi dhe as të luhet “ping-pongu” i radhës.

Ligji shqiptar përcakton qartë se kush arreston, kush ndalon, kush akuzon dhe kush dënon persona të përfshirë në shkeljet e ligjit.
Ministri i Drejtësisë vetëm ndihmon me transmetim leter- porosish dhe/ose përkthim zyrtar të dosjeve dhe këtë detyrë e kemi bërë në kohë rekord.

Kush ka kuriozitet mund të vijë pranë institucionit të verifikojë, sipas rregullave të informacionit të klasifikuar.
Ping-pongun e përgjegjësive e kam denoncuar gjithnjë si të keqen më të madhe që ka sot sistemi.
Prandaj askush të mos fshihet pas alibive të sajuara, por të marrë përgjegjësitë që i jep ligji dhe t’i ushtrojë.
Përsëris qëndrimin tim të palëkundur se kushdo që ka shkelur ligjin duhet të ndëshkohet pa dallim!”