Deklaratë për shtyp e Ministres së Drejtësisë 30 Korrik 2019 - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 30/07/2019

Deklaratë për shtyp e Ministres së Drejtësisë 30 Korrik 2019

Dje në mbrëmje, me informacion në rrugë operative nga Shërbimi i kontrollit të Brendshëm të burgjeve, jam vënë në dijeni me dyshimin e lirimit para kohe nga IEVP Lushnjë, të të dënuarit Lulzim Caka, i dënuar me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e disa veprave penale.

Menjëherë sapo kam marrë dijeni, kam urdhëruar verifikimin dhe hetimin e çështjes me grup të përbashkët hetimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje (SHKBB) dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë.

Grupi i hetimit, gjatë orëve të natës ka kryer veprimet hetimore dhe proceduriale, në administrimin e provave, pyetjen e stafit administrativ, drejtorin e IEVP Lushnjë, kartelistin pranë këtij institucioni, shqyrtimin e dokumentacionit në IEVP Lushnjë dhe dosjes penale të të dënuarit Lulzim Caka.

Në përfundim të këtyre hetimeve, ka rezultuar se shtetasi Lulzim Caka është liruar nga IEVP-Lushnjë 4 muaj e 22 ditë përpara shlyerjes së plotë të dënimit, për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të IEVP Lushnjë dhe lëshimit të urdhrit të lirimit në mënyrë të kundraligjshme nga Drejtori i IEVP Lushnjë.

Si rezultat i shkeljeve të evidentuara, në orët e para të mëngjesit Shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve kreu arrestimin në flagrancë të:

1.Judmir Shurdhi me detyrë Drejtor i IEVP-Lushnjë.
2. Llazar Mino, me detyrë kartelist pranë IEVP Lushnjë.

Ata akuzohen se kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal dhe “Falsifikim të dokumenteve” parashikuar nga neni 186 /3 i Kodit Penal. Materialet i janë referuar menjëherë Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Elbasan.

Po gjithashtu kam urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të dy punonjësve të përfshirë në këtë ngjarje.

Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është njoftuar menjëherë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Policia e Shtetit për revokimin e lirimit të të dënuarit Lulzim Caka dhe shpalljen e tij në kërkim për ta rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Po sot kam urdhëruar, ngritjen e një grupi hetimi për verifikimin e të gjitha dosjeve dhe dokumentacionit përkatës në rastet e lirimit të të dënuarve në të gjitha Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Qeveria dhe personalisht unë si Ministre e Drejtësisë jam e vendosur që të mos bëj asnjë lëshim dhe të vendos përpara përgjegjësisë këdo që shkel ligjin pasi gur i themelimit në mbarëvajtjen e organeve ligjzbatuese është zbatimi në mënyrë rigoroze e ligjit dhe administrimit të procesit.

Në ditët që pasojnë do të realizoj një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të policisë si dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet, në pozicione drejtuese, detajet e së cilës do ti bëj shumë shpejt të ditura.