Ministria e Drejtësisë në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit po udhëheq procesin e rishikimit të Planit të Veprimit 2018-2020, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015-2020, (miratuar me VKM 241, datë 20.4.2018)….

Ministria e Drejtësisë në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit po udhëheq procesin e rishikimit të Planit të Veprimit 2018-2020, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015-2020, (miratuar me VKM 241, datë 20.4.2018). Rishikimi i Planit të Veprimit Antikorrupsion është një program me bazë vjetore i parashikuar nga vetë strategjia antikorrupsion. Rishikimi i Planit të Veprimit gjithashtu është duke u kryer edhe në kuadër të kërkesës së ardhur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, për programimet IPA 2019 dhe 2020.

Draft Plani i Veprimit 2019-2023, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, është dokumenti i 3 i veprimit, pas konkretisht planeve 2015-2017, 2018-2020, që dëshmon në mënyrë të pandalur vullnet të palëkundur të qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit, përmes aksioneve parandaluese, masave ndëshkuese dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese, në përputhje me tre shtyllat e strategjisë, (qasja A- parandaluese, B-ndëshkuese e C- ndërgjegjësuese).

Ky draft plan veprimi është një dokument strategjik me qëllimin për të stimuluar e forcuar bashkëpunimin institucional në luftën kundër korrupsionit në vend. Për këtë arsye, si dhe duke u nisur nga raporti i fundit i Transparency International mbi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit dhe renditjen e Shqipërisë e 99-ta në listën e 180 vendeve të përzgjedhura për studim, nevojitet një impenjim edhe më i madh në luftën kundër korrupsionit.

Draft Plani i Veprimit 2019-2023, është rishikuar në korrelacion me Pasaportën e Indikatorëve (37 indikatorë performance), si edhe pas një bashkëpunimi të mirë e të koordinuar me të gjitha institucionet publike në përfshira në strategji, në bashkëpunim me asistencën teknike të Bashkimit Evropian, organizimit të takimeve konsultuese. Drafti i Planit të Veprimit, 2019-2023,  përmban 95 masa konkrete antikorrupsion të ngritura mbi bazë rezultati, performance, impakti, në funksion të 18 objektivave të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit.

 

Nëpërmjet këtij njoftimi, Ministria e Drejtësisë, ju fton të jepni kontributin tuaj mbi dokumentin e rishikuar të Planit të Veprimit, 2018-2020, përmes një procesi konsultimi publik online.

Konsultimi online do të jetë i hapur nga data 28 qershor 2019 deri më 18 korrik 2019.  

Komentet, sugjerimet, mendimet dhe opinionet për përmbajtjen e aktit lutemi të dërgohen në adresë mirela.llaperi@drejtesia.gov.al

Qëllimi i procesit të konsultimit është informimi mbi procesin dhe dokumentin si dhe mbledhja e kontributit, rekomandimeve, sugjerimeve nga qytetarët, publiku i gjerë, shoqëria civile, akademikët, biznesi, partnerët për zhvillim, etj.  Kontributi dhe sugjerimet do të ndihmojnë në përmirësimin e mëtejshëm të këtij dokumenti si dhe zbatueshmërinë e masave të parashikuara në të.

DRAFT PLANI I VEPRIMIT SNKK 2019-2023