Fjala mbi dekretin e Presidentit e Ministres së Drejtësisë në Parlament - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 13/06/2019

Fjala mbi dekretin e Presidentit e Ministres së Drejtësisë në Parlament

I nderuar z. Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Shqiptarët e kanë fituar të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, në nivel qendror dhe vendor, nëpërmjet zgjedhjeve të lira, të barabarta dhe periodike. 

Vota e tyre dhe e drejta e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre është e shenjtë dhe mbrohet nga kushtetuta, legjislacioni zgjedhor si edhe ligji penal. 

Sipas kushtetutës, Presidenti i Republikës ka detyrimin dhe kompetencën për të caktuar datën e zgjedhjeve por Kushtetuta nuk ka parashikuar asnjë të drejtë të Presidentit as mundësinë as të drejtën për të zhbërë datën e vendosur të zgjedhjeve. 

Arsyeja pse kjo kompetencë i është lënë Presidentit është për shkak se ai përfaqëson unitetin e popullit dhe si subjekt asnjënës, atij i është lënë detyra e shpalljes së garës së partive politike për zgjedhjet e përgjithshme, apo subjektet që kandidojnë për organet e qeverisjes vendore. 
Dekreti për të zhbërë datën e zgjedhjeve është një akt i nxjerrë në mungesë të kompetencës së Presidentit për të nxjerrë një dekret të tillë si dhe në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjin. 

Kodi Zgjedhor përcakton shumë qartë procedurat, afatet dhe rolin e Presidentit në caktimin e datës së zgjedhjeve duke përcaktuar edhe periudhën zgjedhore. Legjislatori i ka kushtuar një rëndësi të jashtëzakonshme periudhës zgjedhore se kur mbahen zgjedhjet dhe faktit që kurrësesi, këto zgjedhje, nuk mund të mbahen pas përfundimit të mandatit të organeve të qeverisjes vendore. 

Presidenti me Dekretin duke shfuqizuar datën e caktuar të zgjedhjeve dhe duke rrezikuar zhvillimin e zgjedhjeve para datës 10 Gusht, mund të cojë në situatën antikushtetuese dhe të paprecedentë ku të gjithë organet e qeverisjes vendore në vend, qëndrojnë në funksion përtej mandatit Kushtetues. Për më tej, ky dekret i pavlefshëm e fut vendin në një pasiguri totale.

Edhe sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, mandati i organeve kushtetutese nuk mund të zgjatet pa një rregull kushtetutes që lejon këtë. Ne jemi para situatës, ku Presidenti me një dekret në tejkalim kompetencash anashkalon rregullimet kushtetuese për mandatin e organeve të qeverisjes vendore. 

Duhet vënë në dukje që çdo dekret që nxjerr Presidentit tashmë për të caktuar një datë të re për zgjedhjet vendore do të jetë në shkelje të Kodit Zgjedhor (në rast se caktohet përpara dates 10 gusht 2019, duke shkelur në këtë mënyrë detyrimin për të organizuar zgjedhjet gjatë periudhave zgjedhore) ose me shkelje të rëndë të Kushtetutës (duke cënuar rëndë nenin 109 të Kushtetutës që përcakton zgjedhje çdo katër vjet të organeve të qeverisjes vendore). 

Në këtë kuptim, cdo dekret i ri i Presidentit për caktimin e një date tjetër të zgjedhjeve dhe mosmbajtjen e tyre në datën 30 qershor 2019, do të krijoj një gjendje pasigurie të vazhdueshme juridike për funksionimin e demokracisë vendore në Shqipëri.

Presidenti me këtë akt pengon të drejtën e shtetasve për të zgjedhur duke cënuar kështu një të drejtë kushtetuese. 
Gjendja e pasigurisë së vazhdueshme juridike duke cënuar zgjedhjet e 30 qershorit, nuk duhet të jetë nxitëse duke kërcënuar demokracinë dhe institucionet demokratike për asnjë institucion shtetëror dhe aq më tepër për Presidentin e Republikës.

Besimin që reforma në drejtësi, më në fund do të jetë vija ndarëse e tranzicionit të gjatë shqiptar, kërkohet të tronditet me gjendjen e pasigurisë së vazhdueshme juridike. 

Besimin që nëpërmjet reformës në drejtësi, ne do të jemi në gjendje të forcojmë shtetin e së drejtës, kërkohet të tronditet me lajme me trazira civile. 

Ta kuptojnë njëherë e mirë: se reforma në drejtësi dhe besimi i shqiptarëve në një shtet modern evropian është e pakthyeshme dhe nuk ka asnjë kërcënim për trazira civile apo për moslejimin e zhvillimit të zgjedhjeve që mund ta trondisë besimin e shqiptarëve në luftën tonë të drejtë për të çliruar sistemin e drejtësisë nga korrupsioni, kapja nga krimi i organizuar ose kapja nga politika. 

Shfuqizimi i të drejtës së shqiptarëve për të votuar dhe lufta që bëhet kundër reformës në drejtësi ka si qëllim pikërisht këtë, të shkatërrojë themelet për të pasur një shtet modern, me qëllim që të ruajnë në pafundësi kontrollin politik dhe ekonomik mbi shqiptarët.

Fakti që partnerët ndërkombëtare kanë dhënë mbështetjen e tyre për zgjedhjet e 30 qershorit nuk është rastësi por argumentat se kjo që po bëjmë është rruga e duhur pasi 30 qershori është respektimi i standarteve ndërkombëtare.

Zgjedhjet e 30 qershorit janë domosdoshmëri për reformën në drejtësi pasi askush nuk mund dhe nuk duhet ta mbaj peng klimën politike dhe parlamentare si një mundësi për të delegjitimuar e penguar zbatimin e reformës në drejtësi. 

30 qershori është domosdoshmëri, pasi do të thotë respektim i kushtetutës dhe ligjit, do të thotë respektim dhe garantim i të drejtës së qytetarëve për të votuar.