Ministri Vasili takim me bashkëraporterët e Asamblesë Parlamentare të KiE - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 28/02/2017

Ministri Vasili takim me bashkëraporterët e Asamblesë Parlamentare të KiE

 

Ministri i Drejtësisë z. Petrit Vasili ka zhvilluar sot një takim me bashkëraporterët e Asamblesë Parlamentare të KiE, në vijim të vizitës së tyre fakt-mbledhëse në Tiranë.

Gjatë takimit, bashkëraporterët pjesë e këtij delegacioni, kanë shfaqur interes lidhur me fazën aktuale të Reformës në Drejtësi, procesin e vetting-ut, zhvillimet e fundit politike në vend si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ministri Vasili është shprehur i kënaqur për mundësinë e zhvillimit të këtij takimi ndërsa ka vlerësuar se kjo vizitë e bashkëraporterët vjen në momentin e duhur, referuar edhe dinamikave delikate të zhvillimeve aktuale në Shqipëri.

Lidhur me hapat dhe të gjitha vendimmarrjet që pritet të ndërmerren nga akotrët vendas dhe ata ndërkombëtarë mbi zbatimin e reformës në drejtësi, Ministri Vasili tërhoqi vëmendjen se është momenti për të treguar maturi, racionalitet dhe ekuilibër, në mënyrë që të mos përsëriten histori të së shkuarës lidhur me respektin e munguar ndaj ligjit dhe Kushtetutës.

Z. Vasili vlerësoi se është me rëndësi që mesazhi i cili është dhënë në opinionin publik dhe atë ndërkombëtar për një qasje të re ndaj ligjit dhe respektimin rigoroz të tij, është mesazhi më i mirë edhe për zbatimin e një reformë solide.

Njëkohësisht, Ministri Vasili bëri me dije se autoriteti i Këshillit të Europës është i mirëpritur në vendin tonë, duke vlerësuar se çdo herë ai ka treguar ekuilibër lidhur me problemet e Shqipërisë.