Raporti javor mbi rezultatet e luftës antikorrupsion - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 13/02/2019

Raporti javor mbi rezultatet e luftës antikorrupsion

Përshëndetje!

Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ashtu sikurse edhe të gjitha institucionet dhe zyrat e tjera shtetërore ku ofrohen shërbime për qytetarët kanë qenë dhe do të vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes dhe kontrollit për sa i përket mënyrës së zbatimit të ligjshmërisë dhe ofrimin e shërbimeve publike.

Nga ana tjetër, ne jemi të vendosur që t’i shkojmë deri në fund çdo denoncimi, që bëhet si në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al apo edhe nga media, duke hetuar në mënyrë të detajuar çdo praktikë të dyshimtë dhe duke marrë masat përkatëse për çdo punonjës që dyshohet të ketë kryer veprime korruptive apo abuzim me detyrën.

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës, ka qenë në fokus të disa kontrolleve të ndryshme administrative, nisur nga denoncime që kanë ardhur më herët pranë Platformës së Bashkëqeverisjes, si dhe falë denoncimeve të mediave.

Në muajin janar, falë denoncimit në një media, për shkelje të rëndë në detyrë, përfshirë edhe shkeljen e etikës dhe komunikimit me publikun, është shkarkuar nga detyra, ashtu siç dhe ju jeni në dijeni, Regjistruesi i Zyrës Vendore, Durrës si dhe disa punonjës të Sektorëve të Regjistrimit dhe Hartografisë.

Po në janar të vitit 2019, të bëra publike dhe në konferencën për shtyp, në përfundim të kontrollit ushtruar nga inspektimi i brendshëm janë marrë gjithashtu dhe 14 masa të tjera, ku 12 prej të cilave kanë qenë largim nga puna e punonjësve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës.

Në vijim të angazhimit tonë për të reformuar rrënjësisht këtë zyrë, bazuar dhe në informacionet e mëtejshme mbi praktika abuzive dhe shkeljet në dëm të cilësisë së ofrimit të shërbimit ndaj qytetarëve, Task Forca Antikorrupsion ka ushtruar një kontroll tjetër administrativ pranë Zyrës së Durrësit.

Nga kontrolli rezultoi se:

Nga praktikat e monitoruara rezultojnë aplikime të trajtuara jashtë afateve të parashikuara në aktet nënligjore “Për afatet e trajtimit dhe përpunimit të kërkesave nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”.

Sistemi on-line i menaxhimit të aplikimeve nuk pasqyron situatën reale të praktikave të trajtuara ose jashtë afatit, për faktin se është gjendur se sistemi nuk është administruar dhe përdorur në të gjitha fazat e tij nga specialistët e kësaj zyre.

Nuk është vepruar në përputhje me kërkesat e rregullave për “Për arkivimin e dokumenteve tekniko-ligjore në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme“, duke bërë kështu dhe referenca dhe praktika të shërbimeve të ofruara në një masë të konsiderueshme duke mos u arkivuar dhe duke sjellë pasoja në vërtetimin e origjinës së pasurisë si dhe duke krijuar hapësira për veprime të cilat mund të fshehin figura të veprave penale.

Aktet e verifikimit nuk janë të bazuara në ligj dhe aktet nënligjore në fushën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pasi kërkohet plotësimi i një dokumentacioni i cili nuk është i nevojshëm të paraqitet nga qytetari për përfundimin e procedurës së regjistrimit ku në mënyrë abuzive nga kjo zyrë është kërkuar nga qytetarët.

Bazuar në gjetjet e këtij kontrolli, nga Task Forca Antikorrupsion, janë rekomanduar gjithashtu një sërë masash të tjetra disiplinore, duke ju shtuar 15 masave disiplinore të marra më herët.

Dhe pikërisht:

– Largim nga puna për 6 specialistë, të kësaj zyre, Sektorit të Regjistrimit dhe Hartografisë;

– Vërejtje me shkrim për 10 specialistë të tjerë, juristë dhe hartografë, të Sektorit të Regjistrimit dhe Hartografisë, duke e çuar në total në 31 numrin e masave disiplinore për punonjësit e kësaj zyre.

Ekipi i ri i stafit të zyrës së Durrësit, në bashkëpunim edhe me Zyrat Qendrore të këtij institucioni, janë duke marrë masat e duhura për të ndryshuar në mënyrë rrënjësore situatën në këtë zyrë dhe duke krijuar kushtet e përshtatshme për një shërbim sa më cilësor, të drejtë dhe transparent për të gjithë qytetarët.

Në të njëjtën kohë, në rolin e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion më duhet të nënvizoj punën e mirë të bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera ligjzbatuese në vend.

Gjatë javës së kaluar nga Policia e Shtetit janë evidentuar dhe referuar në Prokurori materialet për 9 raste të veprave penale, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve dhe i personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe “Shpërdorim detyre”. Janë proceduar penalisht 27 autorë, të cilët janë ndaluar dhe arrestuar 2 prej tyre, duke u marrë dhe masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje” për pjesën tjetër.

Në përfundim të këtij raportimi javor më duhet të nënvizoj mesazhin e qartë për të gjithë: Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ashtu sikurse edhe të gjitha institucionet apo zyrat e administratës që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve, kanë vetëm një detyrë, të veprojnë në respekt të ligjit dhe duke iu shërbyer cilësisht dhe në mënyrë transparente qytetarëve.

Nuk do të ketë asnjë tolerancë dhe asnjë kthim prapa për këdo që shkel ligjin dhe që nuk ofron shërbimet cilësore ndaj qytetarëve. Kontrollet e Task Forcës do të vijojnë gjithnjë e më intensive dhe do t’i shkojnë deri në fund çdo denoncimi apo çdo indicieje që do të kemi për akte korruptive apo abuzim me detyrën për çdo zyrtar

Faleminderit!