Mbështetje prokurorisë në luftën kundër korrupsionit, para përgjegjësisë ata që kanë abuzuar me ligjin dhe detyrën - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 08/02/2019

Mbështetje prokurorisë në luftën kundër korrupsionit, para përgjegjësisë ata që kanë abuzuar me ligjin dhe detyrën

Deklaratë e Ministres së Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj

 

Dje, familja ime dhe unë jemi venë në shënjestrën e një sulmi të ulët të llojit tanimë të njohur dhe të përhapur gjerësisht në aktivitetin verbal të opozitës.

Personalisht zonja Kryemadhi, e cila është në një garë të ethshme me liderët e tjerë të opozitës, për shpifje dhe trillime, më ka sulmuar familjarisht, pas arrestimeve të një grupi personash të cilët dyshohen se janë përgjegjës për një sërë abuzimesh dhe shkeljesh ligjore në Ministrinë e Drejtësisë gjatë viteve të kaluara.

Këto arrestime të kryera nga prokuroria pas një kallëzimi të bërë si rrjedhojë e punës së një sërë inspektimesh të brendshme mbi procedura skandaloze tenderimesh, kanë mjaftuar që zonja Kryemadhi të lëshohet me shantazhime kundër meje e familjes sime.

Unë nuk jam këtu për t’i rikthyer një përgjigje zonjës Kryemadhi lidhur me sulmin e saj të ulët, po për t’i thënë çdokujt tjetër se s’mund të më  ndalin dot të bëj me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet moral e politik vetëm detyrën time.

Procedurat e tenderimeve në Ministrinë e Drejtësisë për vitet 2016 dhe 2017 kanë qenë abuzime, që pas hetimit të prokurorisë u bënë shkak për arrestimin e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë.

Unë jam e vendosur të mbështes prokurorinë në luftën kundër korrupsionit dhe e inkurajoj atë të thellojë hetimin për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me ligjin dhe detyrën.

Sulmi vulgar ndaj meje, nuk erdhi si rrufe në qiell të pastër dhe as si nevojë e luftës politike me doza papërgjegjshmërie për ato që thuhen dhe etheve të një lufte pa asnjë princip për pushtet. Jo. Unë u sulmova me qëllimin e vetëm për t’u sulmuar drejtësia.

Në përgjigje të këtij sulmi, që me siguri nuk do të ndalet, unë i bëj thirrje organeve të drejtësisë të mos ndalen dhe të kryejnë hetimin për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë ata të cilët kanë kryer shkelje dhe dëmin ekonomik që i kanë sjellë buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë. Kush ka përgjegjësi ta mbajë atë sipas ligjit.

I kërkoj prokurorisë të mos intimidohet nga sulmet dhe kërcënimet e kujtdo që tenton të pengojë zbatimin e ligjit.

Procedurat e tenderimeve të kryera dhe procedura e tenderimit të byzylykëve, që tashmë është kthyer në një gangrenë edhe për zbatimin e saj në Ministrinë e Drejtësisë, duhen zbardhur deri në fund. Dhe të gjithë ata që kanë hedhur firmat të mbajnë përgjegjësinë e tyre.

Drejtësia duhet të bëhet e plotë dhe e drejtë deri në fund. Drejtësia nuk duhet të jetë selektive por të gjithë duhet të përgjigjen njësoj përpara ligjit. Duhet të bëjmë durim të gjithë për të parë rezultatet e hetimit nga prokuroria dhe të mos nxitojmë me deklarata, shpifje, thirrje të cilat nuk e ndihmojnë hetimin e këtij procesi.

Ofensiva tërësore e opozitës kundër prokurorisë nuk është aspak e rastit dhe nuk ka të bëjë gjëkundi me ato që thuhen, por me ato që dihen dhe që ishin dhe mbeten arsyeja e kundërvënies së vazhdueshme të kësaj opozite ndaj reformës në drejtësi.

Do duhet që opozita të tregojë mbështetjen e organeve të drejtësisë me vepra dhe jo me fjalë e akuza për zbatimin e njëjtë të ligjit për këdo dhe në çdo moment.

Faleminderit!