Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj merr pjesë në Forumin Ministerial BE - Ballkani Perëndimor, në Sofje, Bullgari - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 27/10/2017

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj merr pjesë në Forumin Ministerial BE – Ballkani Perëndimor, në Sofje, Bullgari

 

Ministrja e Drejtësisë Gjonaj mori pjesë në Forumin Ministerial BE – Ballkani Perëndimor që u zhvillua në Sofje, Bullgari, në datat 26 – 27 tetor 2017.

Në këtë forum u diskutuan çështje të reformës në drejtësi dhe të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar.

Ministrat vunë theksin te rëndësia e pavarësisë, cilësisë dhe eficiencës së sistemeve të drejtësisë si baza për rritjen e shoqërive demokratike. Ministrat mirëpritën përpjekjet e bëra nga vendet e Ballkanit Perëdnimor në fushën e reformës në drejtësi duke sjellë avantazhe direkte në jetën e qytetarëve dhe si një element kyc për integrimin në BE.

Në fushën e bashkëpunimit gjyqësor, Ministrat vunë theksin të përforcimi i bashkëpunimit rajonal si faktor thelbësor për mbajtjen e marrëdhënieve të mira të fqinjësisë.

Gjithashtu, Ministrat dhe Komisioni Europian ranë dakord mbi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Eurojust sa më shpejt e mundur. Ministrat shprehën angazhimin e tyre për të ndërmarrë hapat e nevojshme për të ecur përpara me këtë proces.

Gjatë qëndrimit të saj në Sofje, Bullgari, Ministrja e Drejtësisë znj Etilda Gjonaj zhvilloi takime dypalëshe  me Ministrin e Drejtësisë së Kosovës, Maqedonisë, dhe Malit të Zi si dhe me Komisioneren e BE për Drejtësinë, Konsumatorët dhe Barazinë Gjinore, znj. Vera Jourova.

Ministrja Gjonaj gjatë Ministerialit të zhvilluar në Bullgari, zhvilloi një takim dhe me z. Ëolfgang Brandstetter, Ministrin Federal të Austrisë njëkohësisht Zëvendës Kancelar i cili përgëzoi punën e Qeverisë Shqiptare në hapat e ndërmarra në Reformën në Drejtësi dhe siguroi mbështetjen në ecurinë e mëtejshme të këtij procesi.

Në këto takime, Ministrja foli në lidhje me ecurinë e procesit të reformës në drejtësi dhe prioritetet e punës së Ministrisë së Drejtësisë si dhe diskutoi në lidhje me hapat e mëtejshëm për forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë. Në mënyrë të vecantë, me Ministrat e Drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi diskutoi edhe në lidhje me marrëveshje dypalëshe që mund të finalizohen dhe nënshkruhen në kuadrin e takimeve bilaterale të qeverive me Republikën e Kosovës dhe të Malit të Zi në muajt që vijnë.

Nga ana e tyre, Ministrat homologë shprehën vullnetin dhe gadishmërinë e tyre për të vijuar me shkëmbimin e  ndihmës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në fushat e përbashkëta të veprimtarisë.

Në ditën e dytë të vizitës së saj, Ministrja Gjonaj, u prit në një takim nga homologia e saj Bullgare, znj. Tsetska Tsacheva. Në këtë takim, Ministrja Gjonaj diskutoi çështjet e reformës në Drejtësi dhe hapat që po ndiqen për zbatimin e saj. Midis dy ministreve të drejtësisë u diskutuan çështjet e drejtësisë dhe të bashkëpunimit të ndërsjelltë në fushën e ndihmës në kuadër të marrëveshjeve bilaterale si dhe në shkëmbimin e eksperiencave të mira të dy vendeve. Ministrja znj. Tsacheva shprehu konsideratat e saj për qeverinë shqiptare si dhe siguroi mbështetjen që do ti japi Shqipërisë për integrimin e shpejtë të saj në familjen Evropiane, kjo edhe në kuadër të Presidencës Bullgare të Këshillit të Bashkimit Evropian në vitin 2018.