Për mua është një emocion i fortë të jem sot këtu mes jush në këtë ceremoni mjaft domethënëse, jo vetëm për ju dhe të ardhmen tuaj profesionale, por edhe për fushën që unë drejtoj.
Kam pasur fatin e madh të jem studente, por edhe pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë.
E kam vlerësuar dhe e vlerësoj marrëdhënien, jo thjesht sentimentale, por më shumë profesionale me këtë fakultet, si më të rëndësishmen e jetës dhe karrierës sime. Dhe uroj e shpresoj shumë që edhe ju ta vlerësoni në këtë mënyrë.
Është kënaqësi e veçantë për mua sot t’ju drejtohem Juve jo më si studentë, por si kolegët tanë më të rinj.
Keni kaluar një nga etapat më të rëndësishme të jetës, por nuk mbaron këtu. Përkundrazi këtu nis rrugëtimi juaj profesional, në një nga profesionet më të bukura dhe më të rëndësishme për shoqërinë.
Ju po dilni nga bankat e Universitetit në një periudhë kur për drejtësinë dhe shtetin ligjor flitet më shumë se për gjithçka tjetër.
Qytetarët shqiptarë prej dekadash kanë aspiruar për shtetin e së drejtës dhe një sistem drejtësie të bazuar te pastërtia morale, aftësia profesionale dhe pavarësia nga politika.
Nuk është e rastësishme që 95% e shqiptarëve janë shprehur në mbështetje të plotë të një Reforme të thellë në sistemin e Drejtësisë. Sepse vetë ata kanë vuajtur shumë nga një sistem drejtësie i kalbur në themele dhe që jepte drejtësinë për paguesin më të mirë, e jo për atë që kishte të drejtë.
Ju të gjithë sot jeni dëshmitarë të një ndryshimi rrënjësor dhe historik që po kryhet në sistemin e drejtësisë.
Sistemi po i nënshtrohet një procesi të pashembullt për rivlerësimin kalimtar të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në tre kriteret: pasurinë, aftësitë profesionale dhe integritetin.
Procesi i rivlerësimit kalimtar ka filluar të japë rezultatet e para dhe ajo çka po shohim është befasuese. Një numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh janë larguar nga sistemi për shkak të shkarkimit ose kanë dhënë dorëheqjen, për të mos u përballur me vetingun.
Në fakt vetingu, një proces i cili po realizohet dhe mbikëqyret në mënyrë strikte nga ndërkombëtarët, ka nxjerrë në sytë e publikut një të vërtetë të madhe dhe shumë të hidhur: Kalbëzimin e sistemit të vjetër të drejtësisë.
Faktet e rënda për pasuri të pajustifikuara, lidhje me botën e krimit apo profesionalizëm të cenuar që po zbulohen dita ditës i japin të drejtë këmbënguljes sonë për të kryer një reformë të thellë e radikale dhe jo ndërhyrje të pjesshme në sistem.
Por për ne juristët reforma është shumë më tepër se kaq.
Drejtësia restauruese dhe Drejtësia penale për të miturit janë koncepte krejtësisht të reja dhe që po aplikohen për herë të parë në vendin tonë me rezultate të para shumë optimiste.
Ndryshimi i rolit të prokurorit në sistemin e drejtësisë, me decentralizimin dhe rritjen e pavarësisë së tyre, reforma e thellë në sistemin penitenciar, por edhe mënyra e re e trajtimit të profesioneve të lira, janë të gjitha pjesë përbërëse të reformës së madhe dhe që kërkojnë angazhimin e sa më shumë kapaciteteve profesionale të fushës.
Dhe unë besoj se është një mundësi shumë e mirë për të gjithë ju, që duke u rritur profesionalisht dhe duke u angazhuar në mënyrë këmbëngulëse në profesionin që keni zgjedhur, të bëheni pjesë e këtij ndryshimi të madh.
Prandaj, sytë e shoqërisë shqiptare në këto ditë janë drejtuar nga ju. Jo vetëm si gjyqtarët, prokurorët, avokatët, noterët dhe profesionistët e tjerë të ardhshëm të sistemit të drejtësisë, por edhe si shpresa e madhe për një drejtësi të re.
Jam e bindur që ju në sytë e të gjithë shqiptarëve, jeni brezi i ri i juristëve evropianë: me përgatitje të mirë akademike, me dëshirë për të punuar dhe me gatishmërinë për të qenë profesionistë të devotshëm në shërbim të publikut.
Të nderuar kolegë të rinj juristë!
Do të keni fatin e madh, por në të njëjtën kohë edhe përgjegjësinë e shtuar që të shërbeni në një sistem të ri, që do t’ju garantojë mbështetje institucionale dhe vlerësim më të mirë ekonomik, pavarësi të plotë nga pushtetet e tjera dhe hapësira për t’u zhvilluar në karrierë duke u bazuar te aftësitë profesionale.
Të gjithë ne së bashku kemi përpara një mision shumë të vështirë, por sigurisht aspak të pamundur: Rikthimin e besimit të qytetarëve te drejtësia. Është një mision me rëndësi historike, për të cilin unë kam besim se së bashku do të mund ta kryejmë me sukses.
Unë si Ministre Drejtësie ju garantoj mbështetje, nëpërmjet konkurrimit meritokratik në pozicionet e punës në Ministrinë e Drejtësisë, por dhe nga ana tjetër duke përmendur faktin e mbështetjes në mënyrë të vazhdueshme të studentëve të ekselencës në bashkëpunimin me Dekanin z. Hoxha.
Fare mirë dëshmitarë të kësaj mbështetje janë pikërisht studentët e ekselencës së një viti më parë të punësuar tashmë pranë ministrisë së drejtësisë. Dhe kjo mbështetje do të vazhdojë për studentët e ekselencës dhe për të gjithë ata që kanë rezultate të larta dhe dëshirë për të kontribuar.
Duke ju uruar edhe një herë për diplomimin tuaj, do të doja t’ju rikujtoja se rruga e aftësimit profesional nuk ka mbarim.
Unë jam besimplotë se ju do të dini të tregoni vlerat tuaja të vërteta duke i dhënë një perspektivë me të vërtetë evropiane drejtësisë shqiptare, duke u mundësuar qytetarëve shqiptarë atë sistem drejtësie për të cilin kanë ëndërruar, prej shumë kohësh.
Suksese të mëtejshme!
Faleminderit
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.