Bashkëpunim gjyqësor - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 29/10/2018

Bashkëpunim gjyqësor

Takimi i Gjonaj me homologun italian Bonafede

Bashkëpunimi në fushën e drejtësisë midis Shqipërisë dhe Italisë do të forcohet më tej, si pjesë e marrëdhënieve të forta që ekzistojnë midis dy vendeve. Kjo është konfirmuar gjatë takimit që dy ministrat e drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Alfonso Bonafede kanë zhvilluar në Romë, në kuadër të vizitës dy ditore të ministres shqiptare në Itali. Lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, masat kundër korrupsionit si dhe bashkëpunimi në fushën e sistemit penitenciar kanë qenë temat kryesore të diskutimit midis dy ministrave. Zbatimi i plotë i Reformës në Drejtësi, që tashmë po jep rezultatet e para, reforma në sistemin penitenciar, drejtësia për të miturit dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit, janë shtyllat kryesore të bashkëpunimit bilateral, të parashikuara në marrëveshjen kuadër midis dy ministrive. Nga ana e tij ministri Bonafede u shpreh se për Italinë është e rëndësishme të ketë një partner të sigurt në përballimin me sukses të sfidave të përbashkëta. Ai vlerësoi reformat që ka ndërmarrë Shqipëria dhe shprehu gadishmërinë e Qeverisë Italiane për të dërguar në Shqipëri ekspertë të fushës për të mbështetur dhe asistuar në zbatimin e reformës në drejtësi.