Forcimi i sigurisë së brendshme - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 29/09/2018

Forcimi i sigurisë së brendshme

Kontrolle blic në të gjitha burgjet e vendit

Rritja e sigurisë së brendshme në burgje vijon të jetë një nga objektivat kryesore të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve. Të dyja këto struktura janë duke zbatuar plane masash me detyra konkrete, me qëllim parandalimin dhe kapjen e sendeve të ndaluara që tentohet të futen në IEVP-të e ndryshme apo që prodhohen në mënyrë artizanale nga vetë të burgosurit. Bazuar në mbledhjen e informacionit, kontrollin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, në të gjitha IEVP-të e vendit është arritur që gjatë një periudhë 3 javore, të kapen 17 telefona celularë, 135 doza me lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa dhe 27 mjete prerëse të improvizuara nga të burgosurit. Për shkeljet e konstatuara janë pezulluar nga detyra 3 punonjës si dhe janë proceduar penalisht gjithsej 13 persona. Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit janë referuar në organin e Prokurorisë 3 raste për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Forcimi i sigurisë në burgje është një nga shtyllat e reformës së thellë që është ndërmarrë në sistemin penitenciar në vend dhe që po jep rezultate të mira në funksion të rritjes së standardeve të këtij sistemi. Inspektimet dhe kontrollet nga të dyja strukturat në bashkëpunim do të vijojnë në mënyrë intensive.