Njoftim publik/ Nis procesi i regjistrimit të ekspertëve në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/07/2018

Njoftim publik/ Nis procesi i regjistrimit të ekspertëve në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve

 

Ministria e Drejtësisë në përmbushje të detyrimit të parashikuar nga Kodi i Procedurës Civile lidhur me mënyrën e thirrjes dhe ushtrimit të veprimtarisë së ekspertëve në gjykata, shpall njoftimin për fillimin e procesit të regjistrimit të ekspertëve në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve. Në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve regjistrohen ekspertët që përmbushin kriteret e mëposhtme:

i. të kenë dhjetë vjet përvojë profesionale në fushën specifike apo të ngjashme;
ii. të kenë pesë vjet përvojë profesionale nëse aplikanti ka përfunduar një trajnim profesional në fushën përkatëse;
iii. të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
iv. të jenë të regjistruar dhe të kenë përmbushur në mënyrë të rregullt detyrimet në organet tatimore;
v. të mos jenë të dënuar për veprën penale të ekspertimit të rremë apo për ndonjë vepër tjetër penale që lidhet me ushtrimin e ekspertizës së ofruar.

Aplikimi për regjistrimin në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve bëhet pranë Ministrisë së Drejtësisë në rrugë postare në adresën: Ministria e Drejtësisë, Blvd. “Zogu I”, Tiranë.

Aplikanti i interesuar për regjistrimin në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve duhet të klikojë në linkun “Formular apilikimi per regjistrimin e eksperteve”. Pasi e shkarkon elektronikisht formularin e kërkesës plotëson aplikimin, sipas të dhënave të kërkuara, duke bashkëlidhur dokumentacionin shoqërues përkatës.

Aplikantët e interesuar për regjistrimin në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve paraqesin të plotësuar formularin e kërkesës të shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:
i. jetëshkrimin e plotësuar sipas formatit të përcaktuar në linkun “Jeteshkrimi_model”; kopje të pasaportës apo kartës së identitetit;
ii. formularin e plotësuar të vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore;
iii. vërtetimet e licencimit dhe kualifikimit si ekspert në fushën përkatëse të ekspertizës;
iv. vërtetime mbi përvojën profesionale si ekspert në fushën specifike apo të ngjashme;
v. vërtetim mbi trajnimin profesional në fushën përkatëse;
vi. vërtetim nga organet tatimore për përmbushjen e rregullt të detyrimeve;
vii. të dhënat e numrit të NIPT-it;
viii. librezën e punës apo librezën e sigurimeve shoqërore ku të përfshihen të dhënat që vërtetojnë pagesën e kontributeve shoqërore;
ix. vërtetim nga gjykata që gëzon zotësi të plotë për të vepruar.

Aplikimi dhe dokumentet shoqëruese do t’i nënshtrohen procedurës administrative të shqyrtimit dhe verifikimit nga Ministria e Drejtësisë. Në rast se gjatë procedurës së shqyrtimit të aplikimit do të konstatohen mospërputhje, Ministria e Drejtësisë do të kërkojë informacion shtesë dhe verifikim të të dhënave nga institucioni që ka licencuar ekspertin. Aplikanti do të njoftohet me shkrim, në adresën e komunikimit të deklaruar në formularin e aplikimit, mbi ecurinë e procesit të shqyrtimit të aplikimit.

Formular aplikimi per regjistrimin e eksperteve

Jeteshkrimi model

Sistemi i pikezimit te ekspertizes