15 vjetori i ligjit për Avokaturën e Shtetit ka mbledhur së bashku elitën e jurisprudencës shqiptare, drejtuesit e disa prej institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë si dhe drejtues të Avokaturës ndër vite.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së mbajtur me këtë rast, Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka vlerësuar rolin e padiskutueshëm të Avokaturës së Shtetit, për shkak të rëndësinë specifike që ka ky institucion në mbrojtjen e interesave pasurore publike.
Duke iu referuar shifrave, z. Naço theksoi se puna e vitit të fundit të Avokaturës së Shtetit dëshmon një sukses gjithnjë në rritje të përfaqësimit në gjykim.
“Shifrat e 6-mujorit të parë të këtij institucioni për vitin 2014 janë me të vërtetë mjaft inkurajuese dhe tregojnë për një punë voluminoze, të përballuar nga ky institucion në mënyrë profesionale. Konkretisht janë mbi 6000 çështjeve gjyqësore vetëm për 6-mujorin e parë, 8 çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe 254 çështjeve në Gjykatën e Lartë. Ndërsa njëkohësisht është punuar mbi 40 praktika të komunikimit me qytetarët, pa përfshirë rastet e gjykuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut”, tha z. Naço
Ministri Naço ka përgëzuar Avokaten e Përgjithshme, zj. Alma Hicka si dhe stafin e saj për përpjekjet e bëra në përmirësimin e dukshëm të performancës së Avokaturës së Shtetit gjatë vitit të fundit, ndërsa e ka cilësuar thelbësor faktin që avokatët e shtetit të punojnë me integritet profesional dhe moral, në mbrojtje të këtyre interesave,
“Si një institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, Avokatura e Shtetit ka dhe do të ketë gjithnjë mbështetjen time ne përmbushje të misionit të saj,ndaj vlerësoj çdo sugjerim që do të shërbente pozitivisht në një rritje të mëtejshme të profesionalizmit të avokatëve të shtetit dhe maksimalizimin e efektivitetit të institucionit të Avokaturës se Shtetit në fushën e saj të veprimit”, deklaroi ndër të tjera z. Naço
Në përfundim të fjalës së tij, kreu i drejtësisë shqiptare, evidentoi edhe njëherë rëndësinë e Avokaturës së Shtetit, duke e cilësuar sublim rolin e saj në mbrojtje të shtetit.
“Kërkoj nga avokatët e shtetit një përkushtim dhe seriozitet maksimal në përmbushjen e detyrës së tyre dhe shpresoj që në të ardhmen t’ju përgëzoj përsa më shumë arritje në punën tuaj, e cila është mjaft e dobishme, jetike për interesat e shtetit, dhe rrjedhimisht edhe interesat e taksapaguesve shqiptarë. Së fundi më lejoni të shpreh angazhimin tim si Ministër i Drejtësisë në drejtim të transformimit të hapësirës së të drejtës në rrugën e duhur, ndërsa njëkohësisht gjej rastin të promovoj vlerën e jashtëzakonshme që do të kishte gërshetimi i përpjekjeve të të gjithë aktorëve, për të emetuar energji pozitive, në drejtim të thellimit të reformave të nisura. Përpjekjet e gjithësecilit, dedikimi i vërtetë që karakterizohet nga përkushtimi, fryma e shërbimit dhe pasioni profesional, jam i bindur se mund të na mbledhin në një tjetër përvjetor, ku padyshim do të projektohen realizime dhe suksese të mëtejshme”, përfundoi Ministri Naço
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.