Rrjeti i Koordinatorëve Anti-Korrupsion - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 23/02/2021

Rrjeti i Koordinatorëve Anti-Korrupsion

Shkruaj Koordinatorit tënd në adresën: koordinatori.ak@drejtesia.gov.al

Lufta kundër korrupsionit nuk përbën vetëm një prioritet për Qeverinë Shqiptare, por është edhe një nga 5 prioritetet kyçe që Bashkimi Evropian ka vendosur për Shqipërinë në rrugëtimin e saj të integrimit në familjen evropiane. Ministri i Drejtësisë/Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit është njëkohësisht edhe kryetar i Task-Forcës Ndërinstitucionale Kundër Korrupsionit.

Rrjeti i Koordinatorëve Anti-Korrupsion është një strukturë nën drejtimin e Koordinatorit Kombëtar kundër korrupsionit, Ministrit të Drejtësisë. Me urdhrin nr. 106, datë 25.07.2019 të Kryeministrit,“Për krijimin, përbërjen dhe funksionimin e Rrjetit të Koordinatorëve Antikorrupsion, të ndryshuar me Urdhrin e Kryeministrit nr. 86, datë 25.06.2020, përcaktohet krijimi dhe funksionimi i kësaj strukture.

Objektivi i kësaj strukture është lufta kundër çdo lloj forme të korrupsionit dhe forcimi i besimit te qytetarët për një administratë publike, efiçente dhe me integritet të lartë në shërbim të qytetarit.

Rrjeti i Koordinatorëve Antikorrupsion mbledh, analizon dhe koordinon të gjithë informacionin për rastet korruptive të referuara nga burime të ndryshme përmes bashkëpunimit me strukturën përgjegjëse për Anti-Korrupsionin në Ministrinë e Drejtësisë, Task Forcën Ndërinstitucionale Anti-Korrupsion dhe strukturat e tjera antikorrupsion, me qëllim parandalimin, goditjen dhe rritjen e ndërgjegjes publike kundër korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore dhe tek qytetarët.
Koordinatorët do të ushtrojnë funksionet e tyre në 17 agjencitë kryesore të administratës publike, në sektorët më nevralgjikë dhe të ndjeshëm ndaj korrupsionit, si dhe në ato institucione ku perceptimi i publikut për korrupsionin është i lartë.

Risia që sjell kjo strukturë është shpejtësia dhe efikasiteti në trajtimin e ankesës apo denoncimit nga qytetarët. Përmes këtij mekanizmi kombëtar të referimit të korrupsionit të të gjitha niveleve, çdo qytetar mund t’i qaset edhe direkt koordinatorit në institucionin e vendosur për të denoncuar apo raportuar çdo parregullsi nga më të lehtat deri te rastet korruptive.

Koordinatori i rrjetit Antikorrupsion do të jetë avokati i qytetarëve në luftën kundër korrupsionit, duke marrë dhe verifikuar denoncimet e tyre për veprimet korruptive. Pjesë e rregullimeve të procese të punës është dhe ruajtja e anonimatit të çdo denoncuesi si dhe garancia në zbatim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe përpunimit të informacionit. Qytetarët do të jenë aleatët e koordinatorëve në identifikimin dhe adresimin e rasteve korruptive, pasi janë ata që marrin shërbimet në këto institucione.

Institucionet pjesë e rrjetit të koordinatorëve antikorrupsion janë:

1. Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës,
2. Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara,
3. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit,
4. Drejtoria e Përgjithshme të Gjendjes Civile,
5. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore,
6. Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve,
7. Drejtoria e Përgjithshme të Doganave,
8. Drejtoria e Përgjithshme Detare,
9. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural,
10. Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit,
11. Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit,
12. Agjencia Kombëtare të Zonave të Mbrojtura,
13. Drejtoria e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit,
14. Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor,
15. Drejtoria Qendrore e Drejtorisë të Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar
16. Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.
17. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.

Në nivel rajonal do të ketë Koordinatorë në Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Drejtorisë të Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar.

Lufta e suksesshme kundër korrupsionit është e mundur duke vepruar bashkë, përmes angazhimit aktiv të qytetarëve në denoncimin e rasteve korruptive, si dhe ndjekjen e ndërmarrjen e masave ndëshkuese për personat përgjegjës!

Mos lejo që një akt korrupsioni të njollosë të gjithë administratën dhe imazhin e çdo zyrtari që punon me ndershmëri!
Zgjidh një nga këto mënyra:
1. Shkruaji Koordinatorit tënd në adresën: koordinatori.ak@drejtesia.gov.al
2. Tako personalisht Koordinatorin pranë Institucionit ku ke evidentuar korrupsion!
3. Tako personalisht strukturën përgjegjëse për antikorrupsionin në Ministrinë e Drejtësisë.
4. Denonco nëpërmjet sistemit elektronik të ankesave publike pranë Kryeministrisë në platformën shqiperiaqeduam.al