Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsionit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 23/02/2021

Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsionit

Ministria e Drejtësisë në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, bashkërendon punën për hartimin e politikave dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, krijimin e strukturave përgjegjëse për çështjet antikorrupsion si dhe verifikimet e hetimet administrative të kryera.

Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsionit, ri konceptuar nga pikëpamja e organizimit dhe funksionimit me Vendimin Nr. 618, datë 20.10.2021, të Këshillit të Ministrave “për krijimin, organizimin e funksionimin e Rrjetit të Koordinatorëve kundër Korrupsionit”, të ndryshuar, drejtohet nga Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit dhe përbëhet nga Koordinatorët e emëruar në institucionet pjesë e Rrjetit dhe struktura përgjegjëse kundër korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë.

Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsionit ka kompetenca të kontrollit dhe hetimit administrativ në 44 institucione në nivel qendror si dhe në çdo drejtori vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në Drejtoritë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, në Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar dhe në spitalet rajonale.

Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë si struktura e dedikuar për çështjet antikorrupsion, ka si mision kryerjen e hetimit administrativ të denoncimeve/ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare për zbatimin e ligjshmërisë, si dhe identifikimin e punonjësit të institucioneve, pjesë e Rrjetit të Koordinatorëve, të cilët, me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore/nënligjore në fuqi, si dhe njëkohësisht zhvillimin e projekteve dhe programeve në fushën e antikorrupsionit, planifikimin, koordinimin dhe përcaktimin e instrumenteve të domosdoshme për implementimin e politikave të fushës kundër korrupsionit.

Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit ka në përbërje të saj tre drejtori, konkretisht:

  1. Drejtoria e Rrjetit të Koordinatorëve Antikorrupsion, përgjegjëse për: Mbështetjen e veprimtarisë së Koordinatorëve të emëruar në institucionet e Rrjetit; Monitorimin dhe kryerjen e vlerësimit të performancës për çdo koordinator; kryerjen e hetimit administrativ; analizën dhe vlerësimin e riskut për korrupsion në institucionet pjesë e veprimtarisë së Rrjetit; Përgatitjen e Planeve të Kontrollit bazuar në vlerësimin e riskut për korrupsion; mbajtjen, administrimin dhe përditësimin e Regjistrit të ankesave dhe denoncimeve; mbajtjen, administrimin dhe përditësimin e Regjistrit të Raporteve Përfundimtare dhe Kallëzimeve Penale; ndjekjen e ecurisë së zbatimit të masave dhe rekomandimeve të dhëna nga Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit për institucionet objekt kontrolli; kryerjen e analizave periodike të veprimtarisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit.

 

  1. Drejtoria Operacionale për Çështjet Antikorrupsion, përgjegjëse për: Kryerjen e hetimeve të thelluara në institucionet pjesë e rrjetit, sipas parashikimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave; mbështetjen e veprimtarisë së Koordinatorëve të emëruar në institucionet e Rrjetit për hetime administrative komplekse; kryerjen e kontrolleve në terren sipas Urdhrit të Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.

 

  1. Drejtoria e Programeve dhe Projekteve Antikorrupsion, është struktura teknike që planifikon, koordinon e përcakton instrumentet e domosdoshëm për implementimin e politikave të fushës, për zgjidhjen dhe zhvillimin e programeve në fushën antikorrupsionit si dhe krijimin e bazës së infrastrukturës që do ti paraprijë këtij zhvillimi. Drejtoria udhëheq kuadrin e politikave parandaluese antikorrupsion, monitorimin e zbatimit të akteve rregullatore, hartimin e politikave dhe ndërhyrjeve të tjera institucionale të fushës si dhe kujdeset për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe siguron komunikimin ndërinstitucional të brendshëm dhe të jashtëm të fushës.