Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA) zhvilluan më datë 8 korrik raundin e tretë të tryezës së Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kriterin Politik. Takimi u mbajt në ambientet e Hotel Tirana Internacional dhe online nëpërmjet platformës ZOOM nën drejtimin e Zëvendësministres së Drejtësisë, zj. Adea Pirdeni, njëkohësisht dhe negociatore për këta dy kapituj.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin anëtarët aktualë dhe anëtarër e rinj të PPIE-së duke përfshirë përfaqësues të ardhur nga bota akademike, përfaqësues nga shoqëria civile me eksperiencë në fushën e integrimit dhe të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të pushtetit vendor në nivel bashkie, si dhe anëtarët e GNPIE-së për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kriterin Politik.
Takimi shërbeu si një formë për të prezantuar sfidat dhe pritshmëritë për të ardhmen e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian duke theksuar rëndësinë e konsultimit dhe përfshirjes së shoqërisë civile, grupeve të interesit, botës akademike, dhe pushtetit vendor në të gjitha tryezat e kësaj platforme.
Fokusi i tryezës ishte Mbrojtja e të Dhënave Personale si nënçështje e kapitullit 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”. Në këtë kuadër, nga ekspertë sllovakë në këtë fushë, u prezantua eksperienca sllovake në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, kryesisht mbi risitë dhe zbatimin e Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Rëndësi të veçantë gjatë tryezës pati prezantimi i risive që sjell projektligji i ri për Mbrotjen e të Dhënave Personale i cili aktualisht është nën procesin e konsultimit publik. Me pjesëmarrjen e zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe të Drejtorisë së Kodifikimit dhe Harmonizimit Ligjor pranë Ministrisë së Drejtësisë, diskutimi për përmirësimin e këtij projektligji u shtri tek të gjithë të pranishmit duke shkëmbyer ide dhe mendime të vlefshme për arritjen e qëllimit të kësaj tryeze.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.