Më datë 21.06.2022 u zhvillua online takimi i radhës i Grupit Ndërinstitucional të Punës për Integrimin Evropian (GNPIE) për kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kriteri Politik, për të cilat Ministria e Drejtësisë është institucion lider. Ky takim u kryesua nga Zëvendësministrja e Drejtësisë Znj. Adea Pirdeni , njëkohësisht dhe negociatore për kapitullin 23, me pjesëmarrjen e anëtarëve përfaqësues të institucioneve përgjegjëse.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i disa çështjeve të rëndësishme që lidhen me përgatitjen e deritanishme të Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sfidat që na presin përpara dhe roli i GNPIE-së për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kriterin Politik.
Rëndësi iu kushtua procesit të hartimit të Kontributit të II të Qeverisë Shqiptare për Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2022 për kapitullin 23 si dhe përgatitjeve për ushtrimin e mock presentation në kuadër të takimeve dypalëshe. Në takim u pasqyrua situata e deri më tanishme e procesit të përditësimit të dokumentave të analizës së mangësive ligjore dhe analizës së mangësive institucionale dhe administrative (LGA dhe IAGA) për kapitullin 23.
Çështje tjetër diskutimi ishte dhe procesi i monitorimit të ecurisë së realizimit të masave të propozuara nga institucionet përgjegjëse në adresim të rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2021, për 3 mujorin e dytë, në kuadër dhe të raportit 3 mujor që Ministria e Drejtësisë përgatit për Zyrën e Kryenegociatorit.
Në fund të takimit u diskutua mbi përzgjedhjen e anëtarëve të rinj që do të jenë pjesë e tryezës së Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”. Lidhur me këtë çështje u theksua se numri i të interesuarve që kanë aplikuar për të qenë pjesë e tryezës është i lartë duke përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile, botës akademike dhe ekspertë të fushës, si dhe vlen të përmendet interesi gjithmonë në rritje dhe i institucioneve të qeverisjes vendore.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.