Në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit Nr. 128, dt. 08.11.2021 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Ministrisë së Drejtësisë”, është ngritur Drejtoria e Politikave dhe Strategjive në Fushën e Drejtësisë, detyrat e të cilës janë parashikuar në nenin 31, të Rregullores së Brendshme të MD miratuar me Urdhrin Nr. 116, datë 30.03.2022. Në përbërjen e kësaj drejtorie ka dy sektorë: Sektori i Politikave dhe Strategjive në Fushën e Drejtësisë dhe Sektori i Monitorimit, Jetësimit të Prioriteteve dhe Statistikave. Kjo drejtori ka si mision propozimin, koordinimin, si dhe hartimin e politikave dhe strategjive në fushën e drejtësisë.
Sektori i Politikave dhe Strategjive në Fushën e Drejtësisë (1 përgjegjës sektori dhe 4 specialistë),
ka detyra kryesore:
a. Ndjek, harton dhe koordinon politikat, strategjitë si dhe planet e veprimit në fushën e Drejtësisë;
b. Bashkëpunon dhe koordinon proceset e punës lidhur me hartimin e Politikave dhe Strategjive në Fushën e Drejtësisë, me strukturat e tjera të MD-së, institucionet e varësisë së MD-së, ministritë e linjës, institucionet e reja të sistemit të drejtësi, institucione e pavarura, etj;
c. Zbaton detyrat për realizimin e objektivave, nëpërmjet identifikimit, analizimit të raporteve të monitorimit të situatës ekzistuese dhe synimeve që kërkohen të arrihen në fushën e drejtësisë;
d. Kryen kërkime dhe zhvillon e drafton dokumente të politikave dhe strategjive në fushën e drejtësisë;
e. Ofron vazhdimisht propozime, ide dhe zgjidhje në funksion të dokumentave strategjik;
f. Përgatit informacione periodike ne lidhje me proceset e punës;
g. Jep mendim/vlerësim lidhur me dokumentet e ndryshme strategjike që prekin fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Drejtësisë;
h. Përgatit raporte përgjithësuese, informacione të ndryshme, analiza vlerësuese dhe propozime konkrete në shërbim të punës dhe në mbështetje të sektorit;
Sektori i Monitorimit, Jetësimit të Prioriteteve dhe Statistikave (1 përgjegjës sektori dhe 2 specialistë), ka detyra kryesore:
a. Ndjek proçesin e raportimit dhe monitorimit të të dhënave statistikore në fushën e drejtësisë;
b. Këshillon dhe harton programet për përmirësimin e mekanizmave mbi mbledhjen e të dhënave statistikore;
c. Koordinon dhe përgjigjet për hartimin e raporteve të monitorimit për Strategjitë dhe Planet e tyre të Veprimit, në fushën e drejtësisë sipas afateve të përcaktuara në secilën strategji;
d. Planifikon dhe harton objektivat e Sektorit të Monitorimit, Jetësimit të Prioriteteve dhe Statistikave në funksion të përmbushjes së detyrave funksionale, përmirësimit të performancës dhe rritjes së efikasitetit;
e. Ndjek zbatimin e detyrave për realizimin e objektivave të synuara për sektorin.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.