» Drejtësi miqësore për të gjithë të miturit në kontakt me ligjin
Postuar më: 10/07/2018

Drejtësi miqësore për të gjithë të miturit në kontakt me ligjin

 

Fjala e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj në konferencën me temë “Forcimi i kapaciteteve të profesionistëve të drejtësisë për të mitur – Qasja e integruar”

 

Është një kënaqësi e veçantë për mua sot të jem në një aktivitet kaq të gjerë, për një çështje kaq të rëndësishme siç është Drejtësia për të miturit dhe me një grup kaq të madh përfaqësuesish të lartë të institucioneve publike dhe organizatave partnere, çka shton optimizmin për suksesin e këtij angazhimi të përbashkët.

Jo pa qëllim kemi zgjedhur që këtë aktivitet të mos e zhvillojmë nëpër sallat e hoteleve, të mos e zhvillojmë as në sallën e Ministrisë së Drejtësisë, por pikërisht në një ndër Qendrat Multifunksionale, të ndërtuar nga bashkia e Tiranës me fondet e Bashkimit Evropian, ku të miturit me dënime alternative do të kenë mundësinë që të trajtohen në këtë qendër, ashtu siç marrin shërbimin dhe trajtimin një kategori fëmijësh.

Kjo është e para Qendër, por njëkohësisht nuk është e vetmja në Tiranë. Në kuadër edhe të zbatimit të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit, së bashku dhe në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, kjo kategori e të miturve që janë në kontakt me organet e drejtësisë do të mund të trajtohen edhe në katër Qendra të tjera multifunksionale.

Një risi kjo. Jo vetëm për herë të parë për vendin tonë, por njëkohësisht një risi edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kur për herë të parë të miturit në kontakt me organet e drejtësisë trajtohen jashtë institucioneve të mbyllura, jashtë atyre burgjeve, të cilat në shumicën e rasteve, pavarësisht përpjekjeve tona për të përmirësuar kushtet, për të përmirësuar trajtimin e tyre, nuk arrihet të rehabilitohet dhe t’u ofrohet një drejtësi miqësore për këtë kategori.

Drejtësia për të miturit është një nga çështjet më të ndjeshme të çdo shoqërie sot në botën moderne. Pikërisht sepse adoleshentët dhe të rinjtë përfaqësojnë më së miri lidhjen midis asaj se si është shoqëria sot dhe si do jetë ajo në të ardhmen. Kjo i bën ata jo vetëm shumë të çmuar për realitetin e sotëm social, por nga ana tjetër është dhe pasqyra se si do të jenë anëtarët e komunitetit të nesërm të çdo vendi.

Tashmë prej 2 vitesh, Shqipëria ka nisur të zbatojë një reformë të thellë dhe unike, që është pikërisht Reforma në Drejtësi, jo vetëm unike në llojin e saj,  por unike edhe në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Për shkak të një lloj ndjeshmërie të shtuar të publikut ndaj fatit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, që tashmë po i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar, por edhe sepse mediat kanë qenë më të fokusuara te “lajmet e bujshme” nga fronti i Reformës, që shpeshherë përbëjnë sherrnajat politike në publik, është krijuar ideja e gabuar se Reforma në Drejtësi nënkupton vetëm Vettingun e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

Në të vërtetë, Vettingu është vetëm një nga aspektet e reformës. Sigurisht është i rëndësishmi, por jo i vetmi.

Qëllimi i reformës është garantimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut nga një sistem drejtësie profesional, efiçent, transparent dhe i pavarur.

Pjesë e rëndësishme e këtyre të drejtave janë edhe të drejtat e fëmijëve në kontakt me organet e drejtësisë, ku padyshim gjykimi i rasteve të këtyre të miturve nga gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm dhe profesionistë është një ndër objektivat kyç.

Në këtë kontekst, pjesë e Reformës në Drejtësi është dhe miratimi i Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit, i cili ka hyrë në fuqi 1 janar të këtij viti. Aktualisht jemi në fazën e zbatimit të tij, duke përgatitur paketën e akteve nënligjore dhe duke ngritur strukturat përkatëse për zbatimin e Kodit.

Kodi i Drejtësisë Penale për të Miturit siguron standarde shumë të larta në trajtimin e të miturve, në të tre cilësitë e tyre të mundshme: i mituri autor, i mituri dëshmitar dhe i mituri viktimë.

Zbatimi dhe respektimi i këtyre cilësive përbën risi dhe sfidë për të gjithë institucionet pasi ashtu siç edhe e përmenda për herë të parë prezantohen institute shumë të reja për Shqipërinë dhe që sjellin një qasje krejtësisht të ndryshme ndaj të miturve, të prezantuara nga modelet më të mira të vendeve evropiane.

Dhe jo më kot, slogani i ri i drejtësisë është pikërisht “drejtësi miqësore për të gjithë të miturit në kontakt me ligjin, qofshin ata autorë, viktima, apo dëshmitarë”.

Qasja tek një drejtësi miqësore sjell në skenën e drejtësisë rolin aktiv që duhet të kenë shërbimet shoqërore, sociale në nivel vendor, pasi tashmë sistemi penitenciar është mundësia e fundit për të trajtuar një të mitur.

Dhe ashtu siç kemi dëgjuar shprehjen nga të gjitha Konventat, nga të gjitha legjislacionet, ku burgimi i të miturit duhet të jetë mundësia e fundit, pikërisht këto projekte të reja, njërën prej të cilave ne po e prezantojmë sot, i përqasen mjaft mirë këtij slogani e kësaj qasje të re për drejtësinë për të miturit.

Me standardet e reja të parashikuara në Kod, përgjegjësia për trajtimin e një të mituri në konflikt me ligjin është decentralizuar duke i dhënë përgjegjësi strukturave në nivel vendor, ku tashmë me ligjin e ri të të drejtave të fëmijëve edhe Njësia për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve u është atashuar bashkive.

Ulja e të gjithë aktorëve në të njëjtën tavolinë dhe diskutimi i përbashkët i çështjeve është shumë i rëndësishëm për realizimin me sukses të planit individual për trajtimin e të miturit në kontakt me ligjin, për edukimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tij, e për rrjedhojë edhe për parandalimin e përfshirjes në veprimtari të paligjshme apo të recitivizmit.

Pra, është e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë se në Drejtësinë miqësore për të miturit nuk mund të ketë më ndërhyrje të veçuara, nuk mund të ketë më ndërhyrje të pjesshme dhe as me angazhim paralel të institucioneve të ndryshme, qoftë shtetërore, qoftë joqeveritare, por me tërë zinxhirin e institucioneve përgjegjëse që nga policia dhe deri te institucionet të cilat shërbejnë për rehabilitimin e trajtimin e kësaj kategorie.

Qasja e drejtësisë rehabilituese për të miturit, është pikërisht rehabilitimi i të miturve në komunitet.

Dhe për këtë qëllim:

Ndërhyrja duhet të jetë ndërsektoriale dhe me angazhim të të gjitha institucioneve përkatëse;

Do të restaurojmë zinxhirin mbrojtës për të miturin, duke përfshirë në proces të gjitha hallkat duke filluar me institucionet e sistemit gjyqësor, duke vijuar me institucionet e shërbimeve sociale në nivel vendor dhe më tej me përfshirjen e komunitetit;

Do të aplikojmë për herë të parë programet e drejtësisë restauruese me fokus të veçantë ndërmjetësimin, këshillimin dhe edukimin;

Kemi nisur tashmë në bashkëpunim me partnerët dhe institucionet përgjegjëse trajnimin e profesionistëve të drejtësisë për të mitur me tema të posaçme në përshtatje me zhvillimin dhe specifikat e të miturve, ku numërohen rreth 500 gjyqtarë e prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, avokatë, punonjës shërbimi, ndërmjetës.

Gjithashtu, në këtë nismë të madhe po tentojmë që të ngremë zinxhirin e Qendrave Multidisiplinare në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe pikërisht shembulli i sotëm jep mjaft qartë dhe pasqyron mjaft qartë bashkëpunimin mjaft të mirë që kemi me bashkinë e Tiranës, duke e konsideruar si projekt pilot, për herë të parë në Tiranë.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Kemi vlerësuar me shumë interes pjesëmarrjen në këtë aktivitet të komunitetit të fëmijëve në kontakt me ligjin/viktima, apo dëshmitarë dhe prindërve me qëllim dëgjimin e zërit të tyre dhe identifikimin në praktikë të këtyre fëmijëve në nevojë dhe prindërve të tyre, duke qenë përfituesit e drejtpërdrejtë të reformimit të drejtësisë.

Në vijim, ne vlerësojmë se të tilla aktivitete duhet të zhvillohen edhe në nivel rajonal, duke organizuar tryeza të rrumbullakëta në rrethe të ndryshme, kjo edhe për të ndërgjegjësuar pushtetin vendor për rolin aktiv që ata duhet të luajnë.

Në mbyllje të fjalës sime më lejoni të rikujtoj se sjelljet e një fëmije, apo të një adoleshenti reflektojnë vlerat e shoqërisë.

Është detyra jonë më së pari si drejtues, punonjës të institucioneve shtetërore apo jopublike, por njëkohësisht edhe si prindër dhe pjesëtarë të kësaj shoqërie që të angazhohemi me gjithë energjitë tona, për të siguruar një sistem sa me efikas të drejtësisë për të miturit.

Nevojat e të miturve duhet të jenë udhërrëfyes për veprimtarinë e të gjithë zinxhirit të institucioneve përgjegjëse si dhe organizatave që merren me drejtësinë për të miturit.