Ministria e Drejtësisë

Rënia e regjimit komunist dhe fillimi i tranzicionit demokratik sollën një transformim rrënjësor të organizimit kushtetues dhe institucional të shtetit shqiptar. Një nga hapat e parë të këtij procesi ishte rikrijimi i Ministrisë së Drejtësisë. Në maj 1990, Kuvendi Popullor miratoi ligjin për krijimin e Ministrisë së Drejtësisë, duke rikthyer administrimin qendror të drejtësisë pas një ndërprerjeje prej afro një çerek shekulli. Enver Halili u emërua ministri i parë i Drejtësisë pas rikrijimit të institucionit.

Miratimi i Dispozitave Kryesore Kushtetuese më 29 prill 1991 hapi rrugën për ndërtimin e rendit të ri kushtetues, të bazuar në pluralizmin politik, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ekonominë e tregut dhe ndarjen e pushteteve. Në këtë kuadër nisi edhe riorganizimi i sistemit gjyqësor dhe përshtatja graduale e legjislacionit shqiptar me standardet e një shteti demokratik të së drejtës.

Një etapë themelore e këtij transformimi ishte procesi i rikodifikimit të legjislacionit. Gjatë viteve 1994–1996 u miratuan Kodi Civil, Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi i Procedurës Civile, të cilët zëvendësuan legjislacionin e periudhës socialiste dhe krijuan bazat e rendit juridik demokratik. Nëse kodifikimi i viteve 1925–1939 hodhi themelet e rendit juridik modern shqiptar, reformat e periudhës 1990–2016 synuan përshtatjen e këtij rendi me parimet e demokracisë kushtetuese, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe integrimit europian. Këto reforma u shoqëruan me riorganizimin e institucioneve të drejtësisë dhe me afrimin progresiv të legjislacionit shqiptar me standardet europiane.

Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në vitin 1998 përbën një pikë kthese në historinë e drejtësisë shqiptare. Kushtetuta konsolidoi parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, garantoi pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe përcaktoi organizimin e sistemit gjyqësor në përputhje me standardet e shtetit demokratik të së drejtës. Mbi këtë bazë kushtetuese u zhvilluan më tej institucionet e drejtësisë dhe procesi i reformimit të legjislacionit.

Në këtë periudhë ndryshoi edhe vetë roli institucional i Ministrisë së Drejtësisë. Në dallim nga periudhat e mëparshme, kur Ministria ushtronte edhe funksione të drejtpërdrejta mbi administrimin e sistemit gjyqësor, në shtetin demokratik ajo u orientua gjithnjë e më shumë drejt hartimit të politikave publike në fushën e drejtësisë, përgatitjes dhe kodifikimit të legjislacionit, koordinimit të reformave, bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe administrimit të shërbimeve të drejtësisë, duke respektuar pavarësinë kushtetuese të gjykatave dhe të prokurorisë. Ligji nr. 8678, datë 14 maj 2001, për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë, pasqyroi këtë transformim dhe përcaktoi bazën ligjore të veprimtarisë së saj në rendin e ri kushtetues.

Periudha 1990-2016 karakterizohet nga rindërtimi i institucioneve të drejtësisë, modernizimi i legjislacionit dhe përafrimi i vazhdueshëm me standardet europiane. Ky proces shënoi transformimin e Ministrisë së Drejtësisë nga një institucion me funksione kryesisht administrative në një institucion përgjegjës për politikëbërjen, reformën legjislative dhe koordinimin e zhvillimit të sistemit të drejtësisë. Këto zhvillime krijuan bazën institucionale dhe ligjore mbi të cilën u ndërmor Reforma në Drejtësi e vitit 2016, e cila hapi një fazë të re në historinë e Ministrisë së Drejtësisë dhe të sistemit shqiptar të drejtësisë.