» Britania e Madhe mbështetje për zbatimin e reformës në drejtësi dhe sistemit penitenciar
Postuar më: 03/11/2018

Britania e Madhe mbështetje për zbatimin e reformës në drejtësi dhe sistemit penitenciar

 

 

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, ka pritur në takim një delegacion të Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, i cili kryesohej nga Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Brendshme z. Philip Rutnam dhe shoqërohej nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, z. Duncan Norman.

Forcimi i luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit, përmes shkëmbimit të informacionit si dhe mbështetja e reformës në sistemin penitenciar, me synim rritjen e sigurisë së brendshme, kanë qenë temat kryesore të diskutimit.

Ministrja e Drejtësisë tha se Shqipëria ka treguar me rezultate konkrete se angazhimi në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar është një angazhim serioz edhe në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në përgjigje të interesimit të delegacionit britanik, ministrja Gjonaj ka bërë një ekspoze të ecurisë dhe rezultateve të deritanishme të Reformës në Drejtësi, duke e vënë theksin te ngritja e institucioneve të reja si Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilat do të krijojnë kushtet e duhura për ndjekjen dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet e larta të politikës dhe administratës publike.

Reforma në sistemin penitenciar dhe masat më të fundit që ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare për forcimin e sistemit të sigurisë në burgje, ka qenë një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar. Ministrja Gjonaj ka theksuar se me ndryshimet e fundit ligjore parashikohet vendosja në një regjim të veçantë izolimi i të dënuarve për vepra penale të krimit të organizuar apo terrorizmit, duke marrë si model sistemin italian “41-bis”.

Ndërkohë, një punë e mirë po bëhet me investimet infrastrukturore për rritjen e sigurisë në burgje përmes buxhetit të shtetit dhe mbështetjes së Ambasadës së Britanisë së Madhe, të cilën ministrja gjeti rastin ta falënderonte.

Nga ana e tij z. Rutnam shprehu gatishmërinë e plotë të Qeverisë Britanike për të vijuar me mbështetjen e programit të reformimit të sistemit penitenciar.

Duke folur për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe më gjerë në luftën kundër krimit të organizuar, ministrja Gjonaj ka vlerësuar Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar midis Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ambasadës Britanikë në Tiranë, si dhe marrëveshjen me Eurojust-in.

Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Brendshme Britanike ka falënderuar ministren Gjonaj për bashkëpunimin e deritanishëm dhe marrëveshjet e arritura midis dy qeverive për shkëmbimin e informacionit mbi të dhënat kriminale për shtetasit shqiptarë dhe britanikë. Ai vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për të bashkëpunuar me organizata të rëndësishme si Eurojust, pasi lufta ndaj krimit të organizuar kërkon veprime më të shpejta, më efektive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Sekretari i Përhershëm Philip Rutnam siguroi ministren Gjonaj se Qeveria Britanike do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në proceset e reformave të thella që ka ndërmarrë.