Vizita zyrtare në Bruksel, tre ministrat mbyllin me sukses takimet - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 24/11/2013

Vizita zyrtare në Bruksel, tre ministrat mbyllin me sukses takimet

Ministri Naço:  Asistencë nga Komisioni i Venecias për reformën në gjyqësor

Ministrja Gjosha: Shqiptarët kanë nevojë të kenë besim tek BE

Ministri Tahiri: Rezultatet ndaj krimit të organizuar janë konkrete

Komisionerja Malsmtrom: Raportimet tuaja me shumë vlerë, shenja mjaft pozitive

Tre ministrat shqiptarë mbyllin me sukses takimet e planifikuara në vizitën zyrtare në Bruksel. Kjo vizitë, e fundit deri në muajin dhjetor, kur merret vendimi për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, ishte e një rëndësie tejet të veçantë.

Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço, Ministrja e Integrimit Evropian znj. Klajda Gjosha dhe Ministri i Brendshëm z. Sajmir Tahiri, raportuan për progresin e bërë, reformat e ndërmarra dhe masat konkrete që po zbatohen nga qeveria e re sipas rekomandimeve të lëna nga Progres-Raporti i 16-Tetorit. Në të u rekomandua nga Komisioni Evropian, dhënia e statusit të vendit kandidat pa kushte për Shqipërinë.

Takimet e njëpasnjëshme të kësaj vizite nisën rreth orës 9.30 të mëngjesit dhe u mbyllën rreth orës 18.00 të mbrëmjes.

Ka mbizotëruar një frymë mjaft pozitive dhe optimiste, ku nga përfaqësuesit e lartë të Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të BE-së, janë marrë vlerësime me shumë vlerë për vendin.

Takimi i parë i tre ministrave shqiptarë  z. Naço, znj. Gjosha dhe  z. Tahiri, në Bruksel  u  zhvillua me Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të EEAS (Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian) z. Pierre Vimont.

Tre ministrat shqiptarë informuan rreth masave të marra deri tani në luftën  kundër korrupsionit, krimit të organizuar  si dhe angazhimeve të reformave në përgjithësi. Ata theksuan gjithashtu vendosmërinë e qeverisë shqiptare ndaj përmbushjes së prioriteteve, sipas rekomandimeve që ka lënë Bashkimi Evropian.

Nga ana e tij z. Vimont vlerësoi progresin e bërë dhe inkurajoi për vijimin e tij. “Ardhja e tre  në Bruksel është një shenjë e mirë dhe përpjekjet tuaja na bëjnë optimistë për të ardhmen e Shqipërisë”, tha z. Vimont.

Ministrat morën pjesë gjithashtu në panelin e mbajtur për Shqipërinë, në Qendrën e Politikave Evropiane. Gjatë fjalës së tyre në këtë panel, të tre ministrat shqiptarë theksuan se reformat që po ndërmerren janë të domosdoshme për vendin në radhë të parë.

“Reformat që ne po zbatojmë  nuk i shohim si një dëshmi për BE-në, por mbi të gjitha ato i shërbejnë dhe janë të domosdoshme për popullin shqiptar, për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit të vendit”, theksuan ministrat.

Ministrja e Integrimit Evropian znj. Klajda Gjosha  theksoi se Shqipëria ndihet pjesë e Evropës.  “”Prandaj publiku e sheh Bashkimin Evropian si të ardhmen e tij”, tha Gjosha.

Pasdite, tre ministrat zhvilluan një takim  pune me Komisioneren për Çështjet e Brendshme,  znj. Cecilia Malsmtrom.

Gjatë këtij takimit, raportimi u fokusua tek masat ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe zbatimit të të drejtave të njeriut që janë tre prej prioriteteve kryesore të lëna nga Progres-Raporti.

“Raportimet tuaja sot mbi arritjet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin me shumë vlerë. Këto janë shenja mjaft pozitive që na vijnë nga Shqipëria. Shqetësimi im mbetet komuniteti rom duke qenë se ata  përbëjnë pjesën më të madhe të azilkërkuesve dhe do të doja të shikoja punë më të madhe në këtë drejtim”, tha Komisionerja  për Çështjet e Brendshme, znj. Cecilia Malsmtrom.

Gjatë takimit, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço shpjegoi se  ka nisur puna për reformimin e sistemit gjyqësor, duke e cilësuar reformën në drejtësi si ndër më kryesoret për vendin.

“Kemi kërkuar asistencën e Komisionit të Vencias dhe shumë shpejt presim të nisim  bashkëpunimin me ta. Fillimisht do t’ju paraqesim një panoramë të përgjithshme te sistemit tonë gjyqësor për të piketuar  ato pika ku kemi më shumë nevoje për asistencë”, tha Naço.

Takimi fundit i tre ministrave ishte  me Komisionerin për Zgjerimin  z. Stefan Fyle, i cili  edhe 10 ditë më parë në nisje së Dialogut të Nivelit të Lartë,  Shqipëri-BE, shprehu vlerësimet maksimale për  mënyrën si është vepruar dhe si është raportuar për prioritetet e lëna nga Komisioni. Ai nxiti qeverinë shqiptare për të vijuar  në rrugën e nisur, duke theksuar se këtë progres që u dëshmua nga ministrat duan të shohin edhe vendet anëtare.

“Jam i impresionuar nga puna e bërë së fundmi. Raportimet tuaja janë shumë domethënëse. Këtë duan të shohin edhe vendet anëtare. Vazhdoni kështu deri ne fund”, u shpreh Komisioneri për Zgjerimin z. Stefan Fyle.

Ministrat shqiptarë, në të gjitha takimet intensive theksuan se marrja e statusit të vendit kandidat për  Shqipërinë është vetëm një hap përpara në procesin e integrimit Evropian, dhe jo finalizimi i tij. Ky hap sipas tyre, do t’í shërbejë popullit shqiptar dhe qeverisë për të përmbushur standardet e kërkuara dhe për këtë vullneti  është maksimal nga të gjitha palët.

Gjithpërfshirja e aktorëve, bashkëpunimi me opozitën u theksuan gjithashtu gjatë takimeve, si element kyç.

Tre ministrat shqiptarë, gjithashtu  u zotuan se do të zbatohen afatet e përcaktuara në Planin e Veprimit ku parashtrohen masat konkrete sipas 5 prioriteteve të lëna nga Komisioni Evropian.

  • TË REJAT E FUNDIT