» Vizita e ministrit të Drejtësisë dhe Sigurisë së Holandës
Postuar më: 28/03/2019

Vizita e ministrit të Drejtësisë dhe Sigurisë së Holandës

Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj në një takim ministrinë e Drejtësisë dhe Sigurisë së Holandës, z. Ferdinand Grapperhaus.

Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e shtetit të së drejtës dhe rëndësinë e një sistemi drejtësie të konsoliduar për Shqipërinë.

Gjatë bisedës dypalëshe ministri u njoh me rezultatet konkrete dhe progresin që ka bërë vendi ynë në përmbushjen e objektivave dhe prioriteteve të vendosura nga qeveria.

Ministri Grapperhaus, theksoi rëndësinë dhe rolin kyç që luan procesi i vetingut në vendosjen e një sistemi të ri drejtësie për vendin tonë.

  1. Grapperhaus siguroi që Holanda do ta mbështesë dhe ndihmojë Shqipërinë që të ecë përpara në procesin e integrimit europian.

Konferenca për shtyp e ministres së Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj dhe ministrit të Drejtësisë dhe Sigurisë së Holandës, z.Ferdinand Grapperhaus.

 

Fjala e ministres znj. Gjonaj:

I nderuar Ministër Grapperhaus,

Zonja dhe zotërinj,

Ky është një moment shumë i rëndësishëm për mua si Ministre e Drejtësisë e Republikës së  Shqipërisë,  pasi pata nderin të pres në Ministrinë e Drejtësisë dhe të zhvilloj takime me homologun tim, Ministrin e Drejtësisë dhe Sigurisë të Mbretërisë së Hollandës, z. Grapperhaus.

Ky takim nuk ka qenë një rastësi,  në mbyllje të vizitës së fundit që kemi zhvilluar në Hollandë në maj të vitit të kaluar, Ministri Grappehaus na premtoi se do të vinte shumë shpejt në Shqipëri

për të parë nga afër progresin që Shqipëria ka bërë në proceset reformuese.

Dhe ashtu ndodhi, z. Grapperhaus e mbajti premtimin dhe unë dua ta falenderoj atë dhe delegacionin e tij përzemërsisht.

Ka kaluar gati një vit nga takimi i fundit në Hollandë, një vit i vështirë, me shumë sfida përpara në jetën politike, por në të njëjtën kohë dua të them me bindje të plotë që gjatë kësaj periudhe Shqipëria, ka bërë shumë progres në realizimin e objektivave dhe prioriteteve të vendosura nga Qeveria Shqiptare, duke dëshmuar edhe njëherë, se jemi në rrugën e duhur për t’ju bashkuar familjes së madhe evropiane.

Reforma në Drejtësi tashmë ka hyrë në një fazë vendimtare të zbatimit të saj, ku institucionet e reja të drejtësisë – Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë Prokurorisë – janë ngritur dhe plotësisht funksionale.

Rezultatet e procesit të vettingut për të pastruar pallatin e drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, janë të dukshme, ku më shumë se 50% e tyre janë larguar nga sistemi.

Por padyshim si një proces kompleks dhe i vështirë, kërkon kujdesin nga të gjitha institucionet dhe aktorët e përfshirë, në respektimin e ligjeve dhe në ruajtjen e standartit, me qëllim që ky proces të jetë një proces i drejtë, dhe të shërbejë për arritjen e qëllimit, të reformimit të drejtësisë së re.

Unë jam besimplotë se me vlerën e shtuar që i jep këtij procesi, monitorimi nga Operacioni ndërkombëtar i Monitorimit dhe mbështetja nga partnerët tanë ndërkombëtar do të bëjë të mundur që reforma në drejtësi të zbatohet deri në fund, pa vonesë.

Paralelisht me procesin e Vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë dhe një sërë procesesh të tjera, të cilat tashmë kanë marrë jetë për zbatimin e reformës në drejtësi.

Procesi i filluar tashmë për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, ngritjen e Inspektorit të Lartë të drejtësisë do të përfundojnë deri në qershor të këtij viti me qëllim funksionimin në tërësi të sistemit të drejtësisë.

Prokuroria dhe Gjykatat e Posacme si dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë në fazën e ngritjes së tyre dhe shumë shpejt do të kemi të mundur funksionimin e SPAK-ut me qëllimin e vetëm, për ta bërë më efektive luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zbatimi i suksesshëm i reformës kërkon kohën e nevojshme si një reformë radikale dhe sui generis, jo vetëm në vendet e rajonit por edhe në disa vende të tjera të Bashkimit Evropian, por kërkon njëkohësisht dhe mbështetjen e të gjithë aktorëve kombëtarë dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Me ministrin Grapperhaus, patëm mundësinë të diskutonim mbi forcimin e shtetit të së drejtës dhe eficencën e sistemeve të drejtësisë dhe mbi të gjitha arritëm në konkluzionin e përbashkët rëndësinë e një sistemi drejtësie të konsoliduar për Shqipërinë, jo vetëm sot kur vendi yne ndodhet përpara një momenti historik si hapja e negociatave, por edhe për të ardhmen e brezave që do të vijnë.

Qeveria shqiptare është e vendosur ta çojë deri në fund zbatimin e reformës në drejtësi, si një ndër shtyllat kryesore për shtet formimin dhe shtetin e së drejtës.

Dhe pavarësisht përpjekjeve për ta ndalur me të gjitha mënyrat, do të jenë thjesht përpjekje të dëshpëruara pasi zbatimi i reformës në drejtësi, tashmë është i pandalshëm.

Maxhoranca qeverisëse është e vendosur për të garantuar një sistem të ri drejtësie në shqipëri,

dhe për ti garantuar qytetarëve shqiptarë një sistem drejtësie siç ata e meritojnë – të drejtë, të pavarur dhe të denjë për një shtet evropian.

Prioritet kyc i Ministrisë së Drejtësisë dhe i gjithë Qeverisë është dhe lufta kundër korrupsionit

si një ndër 5 prioritet e Bashkimit evropian për çeljen e negociatave por si dhe një nga sfidat kryesore për progresin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë.

Është bërë shumë punë, shumë përpjekje dhe me rezultate pozitive të pakrahasueshme me pak vite më pare, por së bashku dhe me partnerët tanë ndërkombëtare kjo do të jetë një betejë në vazhdim.

Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona ka qenë shumë i ngushtë dhe jam e bindur duke marrë premtimin edhe nga Ministri Grapperhaus, se do të vazhdojë të thellohet edhe në vijim.

Hollanda dhe qeveria hollandeze është dhe do të mbetet në arenën ndërkombëtare një nga partenerët tanë më të rëndësishëm, dhe mbështetja e saj në forcimin e shtetit të së drejtës është padyshim thelbësore dhe e një rëndësie të veçantë.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë të Hollandës nga njëra anë dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme të Shqipërisë, vitin e kaluar kemi nënshkruar në Hagë ‘’Dokumentin i Bashkëpunimit në luftën kundër krimit ndërkombëtar’’, përmes të cilit ne së bashku kemi konfirmuar interesin e përbashkët për rritjen e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, sidomos në luftën më efektive kundër krimit ndërkombëtar.

Shqipëria gjatë fundit të vitit të kaluar, ka bërë hapa përpara dhe në fushën e hetimeve transnacionale duke nënshkruar dhe ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, marrëveshjen me Eurojust.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi me Eurojust është një shenjë vlerësimi për përpjekjet e bëra deri më tani, por njëkohësisht është një inkurajim i fortë për të vazhduar, me mbështetjen e ndërkombëtarëve, në rrugën e reformave dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Prania e përhershme e Shqipërisë nëpërmjet prokurorit të posaçëm shqiptar në strukturën Eurojust në Hagë, do t’u mundësojë prokurorëve shqiptarë të forcojnë bashkëpunimin me kolegët e tyre nga vendet që aderojnë në këtë strukturë, duke rritur shkëmbimin e informacionit gjyqësor duke kontribuar drejtpërsëdrejti në rezultatet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit.

Si dhe do të rrisë besimin në kapacitetet tona hetimore dhe do ta sjellë Shqipërinë më pranë Bashkimit Evropian.

Ekspertiza dhe mbështetja e Hollandës tashmë është pjesë e të gjitha proceseve tona reformuese, nëpërmjet projekteve Euralius, Operacionit ndërkombëtar të monitorimit me ekspertizën e gjyqtarëve hollandez në këtë mision, si dhe me ekspertizën në reformimin e sistemit penitenciar.

Unë jam besimplotë se qeveria shqiptare nëpërmjet forcimit të shtetit të së drejtës, me reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do tju japë shqiptarëve mundësinë jo vetëm për të patur një shtet më të mirë, por gjithashtu do tju japë perspektivën evropiane.

Ashtu si dhe jam shpresëplotë që Hollanda do të jetë një mbështetje për Shqipërinë

drejt rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në fund, më lejoni që të falënderoj edhe njëherë Ministrin e Drejtësisë dhe të Sigurisë

për zhvillimin e kësaj vizite, si dhe për mbështetjen e dhënë për kapërcimin e sfidave që kemi përpara.

 

Fjala e ministrit z. Grapperhaus:

E nderuar shkëlqesi,

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që së pari t’ju shpreh mirënjohjen për ftesën që unë të vija në Shqipëri dhe që përveç kësaj, dje dhe sot unë kam patur një vizitë të frytshme në Shqipëri. Dhe duke folur me ju e nderuar shkëlqesi, por së bashku edhe me kolegët tuaj, me autoritetet policore, prokurorinë si dhe shumë institucione të tjera, ka qenë kënaqësi dhe e frytshme.

Natyrisht prej atij dokumenti bashkëpunimi që ne kemi nënshkruar, pra ne kemi shprehur synimin tonë së bashku me kolegun tuaj në Ministrinë e Brendshme në maj të vitit 2018, kemi nënshkruar këtë dokument bashkëpunimi dhe kemi rënë dakord që ne do ta forconim dhe fuqizonim bashkëpunimit tonë në fushën e drejtësisë dhe sigurisë.

Pse u pa kjo e nevojshme dhe pse ky dokument ishte i rëndësishëm dhe vazhdon të jetë i rëndësishëm.

Sepse procesi i reformës në drejtësi, kjo reformë që po ndërmerr Shqipëria, është kyçe sepse do ta bëjë Shqipërinë një vend më të sigurt e më të mirë. forcimi i drejtësisë do ta bëjë Shqipërinë një shtet më të mirë dhe të gjithë shoqërinë. Dje për shembull në leksionin që unë pata në Akademinë e Magjistraturës tregova lidhjen që ekziston ndërmjet atyre vende që kanë një sistem shteti të drejtë që funksionin mirë dhe që kanë një popullsi të begatë e të lumtur, dhe kjo nxirret si përfundim nga hulumtimet shkencore.

Kjo është edhe arsyeja pse Bashkimi Europian e ka bërë një pikë qendrore në integrimin në BE, të vendeve dhe ne, Holanda, dëshirojmë të ndihmojmë, sepse siç ja shpjegova dhe kryeministrit sot, ne mund të jetë strikt ndonjëherë, por jemi edhe të drejtë ama. Ne duam që ta ndihmojmë Shqipërinë që ajo të ecë përpara i cili është shumë shumë mbreslënës. Kur i hedhim sytë gjatë 30 viteve të fundit ajo që ka arritur Shqipëria dhe shqiptarët është vërtetë mbresëlënëse si demokraci.

Hapa shumë të rëndësishëm janë ndërmarrë gjatë viteve të fundit, ne e ndjekim këtë ecuri gjatë gjithë kohës, institucionet  e reja të drejtësisë po formohen, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë por natyrisht edhe Inspektorati i Lartë, natyrisht ekziston nevoja për të formauar edhe ato organe të specializuara sidomos për SPAK dhe po ashtu edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Vettingu, rivlerësismi i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve është kyç në këtë proces dhe siç e thashë dje është një ndërmarrje madhore, monumentale dhe e ka detyruar Shqipërinë që të shtyjë  në fat të shtyjë formimin e institucioneve të tjera kushtetuese dhe ndoshta dhe funksionimin e disa të tjerave që ekzistonin dhe na vjen keq për këto por ama këto vonesa janë thelbësore për të ndërtuar atë drejtësi që duan dhe besojnë qytetarët shqiptarë dhe kjo na duhet për sundimin e ligjit, për shtetin e së drejtës dhe në mënyrë që të luftojmë së bashku edhe kundër krimit të organizuar ndërkombëtar i ciki ka një ndikim negativ tek të dyja vendet dhe shoqëritë tona.

Edhe në rast se qytetarët do të duhet të durojnë këto vonesa në drejtësi ndërkohë që harmonizohen të gjitha punët dhe natyrisht do zgjidhen dhe të gjithë anëtarët e gjykatave kjo është një kosto, një çmim që duhet paguar për një të ardhme më të mirë.

Edhe pse vizita ime këtu është për të pasuar ndjekjet dhe fuqizimin të bashkëpunimit gjyqësor dhe për sigurinë, kam folur dhe me homologun tim që është ministër i Brendshëm dhe të dy kemi shprehur jo vetëm vullnetin për ta fuqizuar bashkëpunimin por në fakt kemi rënë dakord për disa masa konkrete si për shembull krijimi i ekipeve të përbashkëta hetimore.

Edhe pse vizita ime këtu nuk ka të bëjë me integrimin në Be unë dëshiroj t’ju siguroj që Holanda mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë dhe unë do ta inkurajoj Shqipërinë që të vazhdoj punën e saj të vështirë dhe të vazhdojë të tregojë rezultate të prekshme dhe të vazhdueshme në këtë proces. Në kthim unë do të flas me kolegët e mi në qeveri për diskutimet që kam pasur këtu dhe mbresat që më ka lënë Shqipëria.

Konsolidimi i reformës në drejtësi dhe krijimi i atij historiku në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk janë punë të lehta janë të vështira dhe Holanda e ka dëshmuar këtë me vizitën time, dëshiron që ta tregojë këtë angazhimin tonin që ne do të punojmë së bashku në luftimin e krimit ndërkombëtar, kriminel ndërkombëtar holandezë, shqiptarë apo nga vende të ndryshme.

Dhe mendoj që sot kemi rënë dakord dhe jemi në rrugën e duhur dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim.

Më lejoni të them edhe një herë që jam vërtetë shumë i impresionuar nga ajo si Shqipëria në dekadat e fundit është zhvilluar dhe vijon të zhvillohet jo vetëm në kuptimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe të zbatimit të saj por si shoqëri në vetvete dhe unë jam besim plotë që këto janë zhvillime pozitive të cilat do të vazhdojnë dhe në të ardhmen e afërt.

Pyetje nga gazetarët:

Ora news- Javët e fundit në Shqipëri kemi qënë dëshmitarë të disa protestave të dhunshme dhe opizita shqiptare ka lënë mandatet. A ka një koment nga qeveria hollandeze për këtë çështje?

Grapperhaus: Së pari, protestat janë një element shumë i rëndësishëm dhe thelbësor i demokracive dhe në të gjithë botën njërëzit dalin për të protestuar.Edhe në Hollandë javën e kaluar ka patur një rpotestë shumë të madhe kundër ndryshimeve klimatike dhe kundër rracizmit si dhe sulmit terrorist që ndodhi janë e shkuar në Utrecht.Më vjen keq që ka patur dhunë në protestën në Shqipëri dhe u bëj thirrje të gjitha palëve që të sigurohen që të bëhën protesta paqësore.Protesta nëq vetvete është një e drejtë thelbësore por duhet të qëndrojë brenda limitit të shtetit të së drejtës dhe dhuna shkon përtej nevojës së sundimit të ligjit.Më vjen keq që opozita ka marr vendimin që të djeg mandatet.Dalja nga Kuvendi nuk është mënyra për të zgjidhur problemet politike dhe shkon kundër parimeve demokratike.Partia ime nuk ka qënë pjesë e qeverisë për 5 vite me radhë dhe na është dashur të ndiqnim zhvillimet nga jashtë por me sy kritik.Parlamenti është vendi ku zhvillimet politike trajtohen me sy kritik dhe është baza e çdo demokracie.

 Tvsh- Nisma e qverisë shqiptare për zbatimin e Reformës në Drejtësi mbetet një cështje mjaft e diskutuar brenda dhe jashtë vendit. Ka kaluar një vit nga zbatimi i saj , si krietri kryesor i vendosur nga Komisioni Evropian për celjen e negociatave. Si e vlersoni këtë reformë një vit pas implementimit të saj? Cili do të jetë qëndrimi i Hollandës për celjen  e negociatave të Shqipërisë me BE në qershorin e këtij viti?

Gjonaj: Reforma në Drejtësi ka patur rezultate të jashtëzakonshme.Vetingu ka larguar në rreth 120 vendime gjyqtare e prokuror që kanë qënë të padenjë për të qënë pjese e sistemit të drejtësisë, për shkak të problemeve me korrupsionin ose problemeve me integritetin dhe pastertinë e figurës.

Kemi qënë të gjithë dëshmitarë që në muajin dhjetor 2018, janë ngritur dy Këshillat si pjesë e sistemit të ri të drejtësisë.Që prej janarit e deri më sot jemi në mes të një procesi për plotësimin e vakancave të Gjyk Kushtetuese ,ngritjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe organet e SPAK: Prokuroria e Posacme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Duke mbajtur në konsiderat rezulatet e deritanishme të njohura edhe nga Komisioni Evropian nëpërmejt raportimeve që kemi patur, janë rezultate domethënëse dhe impresionuese për vetë institutcionet e BE.Mendoj që Shqipëria i ka plotësuar detyrat e saj përsa i përket zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Grapperhaus: Vizita im e në Tiranë nuk ka patur synim që të jem juria që do të vendos për cfarë do të ndodh me Shqipërinë në muajin Qershor.Ne duhet të presim për Progres raportin e Komisionit Evropian që do të dal në muajin Maj , pasi është Komisioni Evropian institucioni që e ka monitoruar nga afër zhvillimet në vend.Ndaj përgjigje ime është të presim deri sa të dal progres raporti i Komisionit Evropian dhe ne si qeveria do të vendosim bashkë me parlamentin tonë në Hollandë. Meghithatë dua të theksoj se e shoh që Qeveria e Shqipërisë  vërtet po punon për këtë ndërmarrje madhore sic është Reforma në Drejtësi.Kjo tregon se Qeveria shqiptare është serioze për të arritur atë që ka thënë Komisioni Evropian mbi standartet që kërkohen Dua të ripërsëris së protestat në Ministrinë e Brendshme nuk më bëjnë përshtypje pasi ën fund të ditës kjo është demokracia , të gjitha duhet të kenë të drejtën që në mënyrë dinjitoze dhe sipas sundimit të ligjit të shprehin mendimin e tyre në shoqëri.

Nuk është thjesht se qeveria po punon për reformën në drejtësi por ne e shikojmë që mënyra e të punuarit është e institucionalizuar dhe isha i lumtur të jepja një leksion te Shkolla e Magjistraturës pasi do të jenë ata 75 persona që do të jenë pjesë e Shkollës së Magjistraturës që do të bëjnë drejtësinë.Ndaj dua të theksoi rëndësinë e këtij lloj institucionalizimi të sundimit të ligjit.

Në asnjë shoqëri gjerat nuk janë perfekte por e gjitha ka të bëjë me institucionalzimit të ligjit dhe Kushtetutës