» Rregulla të reja për transferimin e punonjësve të Policisë së Burgjeve
Postuar më: 08/01/2019

Rregulla të reja për transferimin e punonjësve të Policisë së Burgjeve

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, ka nxjerrë në datën 4 janar 2019, një udhëzim të ri për Rregullat e Brendshme të transferimit të punonjësve të Policisë së Burgjeve.

Ky udhëzim përcakton rregulla të qarta për modalitetet e transferimit të punonjësve të policisë së burgjeve, nga një IEVP-ë në një tjetër dhe synon garantimin e të drejtave të tyre, përmes sigurimit të qëndrueshmërisë në vendin e punës.

Në udhëzimin e ministres përcaktohet se çdo punonjës i Policisë së Burgjeve, nuk mund të transferohet për më shumë së 6 muaj, brenda 2 viteve të fundit. Transferimi bëhet me urdhër të motivuar, me vlerësim të rezultateve individuale të punës dhe i komunikohet personit të transferuar.

Sipas rregullave të reja, “punonjësit e Policisë së Burgjeve, të rolit bazë dhe të mesëm, nuk mund të transferohen në një vend pune më larg se 45 km nga vendbanimi i tyre, me përjashtim të rastit kur japin pëlqimin me shkrim për këtë transferim”.

Transferimi i punonjësit të Policisë së Burgjeve duhet të bëhet bazuar në kriteret e përcaktuara, të cilat duhet të jenë në përputhje me gradën, kualifikimet, vlerësimet individuale të punës, kohën e qëndrimit në funksion, si dhe me përshkrimin e pozicionit të punës për atë funksion.

Ndërkohë që vetë punonjësi, në çdo rast jep pëlqimin e tij për transferimin, me përjashtim të rasteve kur ky transferim bëhet për nevoja urgjente të shërbimit. Punonjësi ka të drejtën e ankimit ndaj urdhrit të transferimit, sipas rregulloreve përkatëse dhe legjislacionit në fuqi.

Me këto ndryshime, ministrja Gjonaj synon të disiplinojë mënyrën e lëvizjes së personelit të Policisë së Burgjeve, por në të njëjtën kohë edhe t’u japë garanci këtyre punonjësve se do të kenë të gjitha hapësirat ligjore për të qenë të mbrojtur në të drejtat e tyre.