Rekrutimi i Policisë së Burgjeve meritokratik dhe transparent. Vëmë në dispozicion gjithë dosjen - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/01/2019

Rekrutimi i Policisë së Burgjeve meritokratik dhe transparent. Vëmë në dispozicion gjithë dosjen

Deklaratë për shtyp e Ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj: Rekrutimi i Policisë së Burgjeve meritokratik dhe transparent. Vëmë në dispozicion gjithë dosjen

Jam sërish përpara jush sot për të sqaruar çështjen e procedurave të testimit të punonjësve të rinj të Policisë së Burgjeve,  një çështje që e konsideroj shumë të rëndësishme dhe për të cilën jam e vendosur ta mbroj deri në fund me përgjegjësinë maksimale, sepse e theksoj që ka qenë dhe mbetet procesi më meritokratik, transparent dhe cilësor që është kryer ndonjë herë në sistemin penitenciar në gjithë historinë e tij.

Dje në mbrëmje, “Zëri i Amerikës” nuk mori në konsideratë, qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe as argumentet që unë dhashë lidhur me këtë proces, përkundrazi rikonfirmoi me deklaratë qasjen totalisht të gabuar lidhur me të dhënat e dosjes hetimore.

U shpreh për prova që gjendeshin në dosjen hetimore, por pa marrë parasysh se ato prova janë thjesht indicie, të cilat do t’i japin mundësinë prokurorisë për të hetuar më tej lidhur me ato se çfarë kanë dalë nga përgjimet. Dhe ashtu siç e shpjegova dhe dje, nuk kanë të bëjnë me procesin e rekrutimit të punonjësve të policisë së burgjeve.

Besoj se do të ishte korrekte që Zëri i Amerikës në bazë të këtyre indicieve të kërkonte të verifikonte dosjen e procedurave të testimit të policisë së burgjeve për të parë nëse interesimi legjitim i deputetëve për çështje të caktuara të personelit të burgjeve është përkthyer apo jo, në shkelje të të drejtave të atyre që kanë marrë pjesë në testim dhe që u takonte vendi sipas ligjit dhe meritës së tyre.

Pavarësisht nga ajo se çfarë kanë biseduar personat përkatës në ato biseda të përgjuara, interesimi i deputetëve nuk ka asnjë lidhje me procesin dhe rezultatet e rekrutimit të punonjësve të policisë së burgjeve.

E theksoj edhe një here: Procesi ka qenë tërësisht transparent dhe i hapur për të gjithë qytetarët e interesuar.

Procedurat janë zbatuar në mënyrën më të përpiktë dhe çdo hap i ndjekur është lehtësisht i verifikueshëm edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 8 muaj nga testimi.

Çdo element i këtij procesi, që nga marrëveshja e përbashkët mes ministrave, aktet normative në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë për zhvillimin e testimit teorik dhe fizik, rezultatet e secilit konkurrent, e deri të urdhrat e emërimit në detyrë nga DPB-ja sipas rezultateve të arritura, janë në një dosje të plotë dhe në dispozicion të medias apo publikut.

Ndaj e theksoj edhe njëherë, se jemi të hapur për këdo që dëshiron të verifikojë dosjen e procesit të rekrutimit të punonjësve të rinj të policisë së burgjeve, apo çdo të dhënë tjetër që mendon se do t’i shërbente nxjerrjes së të vërtetës dhe jo baltosjes së punës së mirë që kemi kryer deri tani.

Jemi të vetëdijshëm se në sistemin penitenciar dhe në funksionimin e Policisë së Burgjeve ka ende shumë për të përmirësuar por nga ana tjetër ne po punojmë fort çdo ditë për të ndryshuar situatën dhe kemi hedhur tashmë një hap shumë të madh në synimin tonë për të lënë pas krahëve, të shkuarën nepotike, partiake dhe korruptive në sistemin e burgjeve.

Kemi organizuar një proces model dhe të gjithë ata që morën pjesë në të mund ta dëshmojnë këtë. Është një hap i parë, por shumë i rëndësishëm për ta ndarë një herë e mirë partinë nga shteti.

Sigurisht që nuk presim ta kuptojnë këtë, apo më keq akoma, të na mbështesin në këtë rrugë, ata që deri dje e kthyen administratën në një han pa porta për militantët e partive të tyre, por presim profesionalizëm nga media, së cilës i kërkojmë të hetojë më në thellësi dhe të nxjerrë të vërtetën e kësaj çështjeje. Dhe unë jam e qetë dhe e bindur se e vërteta është në krahun tonë.

Shpresoj që “Zëri i Amerikës” do të transmetojë qëndrimin tonë si dhe i siguroj të gjithë qytetarët që lufta me të shkuarën është reale,  është një betejë më vete,  ashtu siç është beteja për çdo institucion për të bërë njëherë e mirë ndarjen e shtetit nga partia,

Këtij qëllimi i shërben pikërisht edhe nisma e fundit që kemi marrë për rekrutimin në administratë të studentëve të ekselencës, e cila është dëshmia se duam të bëjmë shtet e të ndahemi njëherë e mirë nga e shkuara, për t’i dhënë mundësinë të gjithëve sipas meritës.