Procesi i rekrutimeve në Policinë e Burgjeve, transparent dhe meritokratik - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 14/01/2019

Procesi i rekrutimeve në Policinë e Burgjeve, transparent dhe meritokratik

Deklaratë për shtyp e Ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj:

“Procesi i rekrutimeve në Policinë e Burgjeve, transparent dhe meritokratik”

 Dal publikisht në këtë konferencë për shtyp, pas një lajmi të publikuar nga “Zëri i Amerikës” lidhur me rekrutimet e punonjësve të policisë së burgjeve në sistemin penitenciar.

Hedhim poshtë të gjitha akuzat e bëra lidhur me emërimet partiake dhe jo ligjore në sistemin e burgjeve.

Procesi i rekrutimit të punonjësve të Policisë së Burgjeve i aplikuar për herë të parë në vitin 2018 ka qenë dhe mbetet procesi më meritokratik i zhvilluar ndonjëherë në sistemin penitenciar.

Për herë të parë, testimi dhe trajnimi i punonjësve të rinj të Policisë së Burgjeve, nuk është kryer vetëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, por në bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Sigurisë, sipas normimit, rregullave dhe procedurave të akteve të brendshme në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë.

Procesi ka qenë tërësisht transparent dhe i hapur për të gjithë qytetarët e interesuar.

Dhe këtë e vërteton dhe thirrja për pjesëmarrje e cila është publikuar në datën 23 mars 2018 në faqet zyrtare të internetit të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, por njëkohësisht pasqyruar gjerësisht edhe në media.

Dhe këtu kam dosjen e plotë të të gjithë procesit të thirrjes, rekrutimit, trajnimit si dhe nxjerrjes së listës përfundimtare të atyre që kanë fituar së bashku me urdhrat e emërimit sipas listës që ka dalë nga Akademia e Sigurisë, e cila ka qenë nëpërmjet një procedure, tashmë shumë të konsoliduar të këtij institucioni, në bazë edhe të një korrigjimi të testimeve në mënyrë elektronike. Dhe pikërisht këtu është njoftimi që mund ta verifikoni në mënyrë shumë të shpejtë edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Drejtësisë, ku është bërë publike thirrja për çdo qytetar i cili plotëson kriteret, kushtet e parashikuara nga ligji, apo aktet e brendshme, lidhur me rekrutimin e punonjësve të burgjeve.

Çdo shtetas shqiptar i interesuar, i cili plotësonte kërkesat e parashikuara në ligj dhe në aktet nënligjore për rekrutimin në policinë e burgjeve ka pasur mundësinë dhe kohën reale për të aplikuar, e thënë kjo edhe në përgënjeshtrim të çdo deklarate të bërë nga selitë e PD-së dhe LSI-së, ditën e djeshme, ku pretendohej se listat e aplikantëve janë listat e partisë. Për fat të mirë tonin dhe për fat të keq të atyre që kanë bërë deklarata të tilla dje, interesimi i qytetarëve shqiptarë ka qenë i lartë dhe këtë e vërteton numri i lartë i atyre, të cilët kanë aplikuar dhe që kanë shprehur interesin për të  marrë pjesë në këtë konkurs dhe që janë në total 1385 aplikantë.

I gjithë procesi është zhvilluar mbi një bazë të plotë dhe të qartë ligjore. Unë do të përmend vetëm disa prej tyre, për t’i bërë të njohur dhe për t’i bërë me dije të gjithë qytetarëve që na ndjekin në këto momente, që nuk është një proces, i cili ka dalë nga hiçi por një proces i cili është normuar në mënyrën më të detajuar me urdhra dhe shkresa komunikimi midis institucioneve, që nga momenti i parë i fillimit të procesit dhe deri në rezultatet finale të atyre që kanë fituar konkursin për t’u bërë pjesë e policisë së burgjeve.

Dhe më lejoni të përmend disa prej tyre, por ato janë pjesë e kësaj dosjeje dhe kushdo që është i interesuar mundet t’i marrë dhe të ketë një kopje për t’i parë dhe për të kuptuar se çfarë pune është bërë në këtë proces rekrutimi për herë të parë në historinë e sistemin penitenciar.

Dhe pikërisht më lejoni të përmend urdhrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja e përbashkët mes dy ministrive, i datës 3 prill;

Urdhrin e Akademisë së Sigurisë për zhvillimin e testimit me shkrim, për kandidatët që kanë aplikuar për pranimin në policinë e burgjeve;

Shkresë e Akademisë së Sigurisë e datës 3 prill për listën e rezultateve të testimit me shkrim me kandidatët që kanë aplikuar për t’u rekrutuar si punonjës të policisë së burgjeve;

Listë e përgatitur pas korrigjimit në mënyrë elektronike, theksoj në mënyrë elektronike dhe skanimit të testeve;

Urdhër i Akademisë së Sigurisë për zhvillimin e testimit fizik me kandidatët që kanë aplikuar për pranimin në policinë e burgjeve dhe kështu me radhë, urdhri apo shkresa e datës 6 prill nga ku është përgatitur lista përfundimtare e testimeve për pranimin në Policinë e Burgjeve, përcjellja e rezultateve të konkurrimit për pranimin pikërisht të këtyre punonjësve që kanë fituar testimin dhe të gjitha akteve të tjera që janë akte normative të brendshme të përbashkëta të cilat normojnë mënyrën e trajtimit të kandidatëve fitues.

Dhe këtu mund të përmend urdhrat e muajit maj për zhvillimin e kursit të dytë të trajnimit, për çregjistrimin nga kursi i tretë i trajnimit për punonjësit e rinj të Policisë së Burgjeve, pasi kishte edhe nga ata të cilët u shpallën fitues, por për shkak të rregullave të përcaktuara nga Akademia e Sigurisë për ndjekjen e këtyre kurseve kanë plotësuar numrin e mungesave dhe janë çregjistruar duke mos u shpallur fitues.

Si dhe procesverbale të mbajtura nga komisione të ngritura pranë Akademisë së Sigurisë dhe komunikime të tjera të brendshme deri në finalizimin e listave me rezultatet e testimit të të dy fazave.

Pas përfundimit të afatit të shprehjes së interesit nga aplikantët, testimi u zhvillua në dy faza, në datën 3 prill, testimi i njohurive të kandidatëve dhe deri në 9  prill 2018 testimi fizik, për plotësimin e vakancave me punonjës të rolit bazë, në të gjithë sistemin penitenciar në vend. Gjithsej në testim u paraqitën 900 aplikantë, dhe u shpallën fitues 336 konkurrentë, prej të cilëve 267 të rekrutuar për herë të parë në sistem dhe 69 të rekrutuar nga radhët e ish ushtarakëve, punonjësve të Policisë së Shtetit apo punonjësve të Policisë së Burgjeve, të cilët ishin një vlerë e shtuar dhe kishin pikë plus nëse do të kishin një eksperiencë të mëparshme, që do ta kishin kryer në Policinë e Shtetit, në ushtri apo në Policinë e Burgjeve.

E gjithë procedura e ndjekur nga Akademia e Sigurisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka qenë e hapur dhe transparente. Testimi me shkrim është kontrolluar përmes pajisjeve teknologjike me scantron, duke bërë kështu rankimin e kandidatëve në mënyrë automatike sipas rezultateve të arritura dhe listat të publikuara edhe në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Dhe pikërisht këtu unë kam listat të cilat janë publikuar edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe janë lista që me siguri edhe Akademia e Sigurisë i ka të ruajtur në sistemet e saj. Fituesit e testimit i janë nënshtruar më pas fazës së trajnimit në Akademinë e Sigurisë. Gjatë fazës së trajnimit, disa prej fituesve janë tërhequr edhe nga procesi për motive personale, ose për shkak se nuk përballonin dot kurset fizike të trajnimit dhe modulit të përcaktuar nga Akademia e Sigurisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve duke u zëvendësuar më pas me personat e renditur sipas radhës në listën e fituesve.

Sistemi i ri i rekrutimit, trajnimit të punonjësve të policisë së burgjeve përmes Akademisë së Sigurisë ka mbyllur çdo shteg të mundshëm për ndërhyrje në përzgjedhjen e fituesve dhe ka krijuar hapësirat e duhura për të gjithë konkurrentët që të fitojnë falë dijeve dhe aftësive të tyre.

Dhe nëse do të jeni kuriozë, dhe kështu do të ishte mirë, për të parë pikërisht këtë dosje me dokumente që Ministria e Drejtësisë ka, do të shikoni mjaft mirë se lista e fituesve përputhet pikërisht me urdhrat e emërimit që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë sipas listës së fituesve dhe sipas kërkesave të kandidatëve për t’u rekrutuar në institucionin përkatës.

Dhe dosja vetëm për një institucion që përmban urdhrin e emërimit të atyre që futeshin, hynin për herë të parë në sistemin e policisë së burgjeve, sipas listës, sipas rankimit që Akademia e Sigurisë i ka përcjellë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ka jo vetëm urdhrin me emrat e personave përkatës, por njëkohësisht ka bashkëngjitur formularin e aplikimit, formularin e vlerësimit të plotësuar nga Akademia e Sigurisë, certifikatën e Akademisë pas trajnimit dhe urdhrin individual të emërimit.

Dhe si këtu, po të shikojmë ky është emërimi në detyrë i punonjësve të rolit bazë për Beratin, janë për të gjitha institucionet dosjet përkatëse, të cilat janë të hapura për t’u parë dhe për t’u kontrolluar edhe nga media apo për çdo qytetar që ka interes.

Shpreh keqardhjen që e gjithë kjo përbaltje tërësisht e pabazë, duke pasur në vëmendje disa përgjime bëhet nga “Zëri i Amerikës” ndërkohë që do të duhej po nga kjo media, të bëhej një kërkim më profesional, të kërkohej edhe opinioni ynë me qëllim që të vinim në dispozicion pikërisht këtë dosje të konkurrimit të zhvilluar nga Akademia e Sigurisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për të krahasuar atë çfarë ka dalë nga lista e Akademisë, pikërisht me urdhrat e emërimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për çdo institucion dhe më pas të shikonte nëse këto dokumente përputheshin apo jo.

Por, për fat të keq edhe njëherë tjetër është provuar se në çfarë drejtimi të gabuar dhe çfarë mund t’i shkaktojë shoqërisë përdorimi i elementeve të tilla nga një dosje përgjimi, pa asnjë analizë të mirëfilltë dhe pa pasur asnjë lidhje me procesin e rekrutimit të punonjësve të policisë së burgjeve të kryer në muajin prill 2018.

Listat e pjesëmarrësve në konkurrim, si dhe listat e fituesve janë publike dhe kushdo i interesuar, gazetar apo qytetar mund të verifikojë lehtësisht të gjithë emrat e fituesve dhe rezultatet e tyre.

Dua të theksoj se konkursi publik nëpërmjet Akademisë së Sigurisë nuk është një detyrim ligjor apo nënligjor dhe nëse do të vazhdonim pikërisht traditën e vjetër të punësimit të listave partiake, duhet theksuar se kanë shkëlqyer për nga agresiviteti ndaj ligjit dhe administratës më shumë nga të tjerët, ata të cilët sot bërtasin më shumë, nga radhët e opozitës. Dhe ne s’kishim pse të organizonim një konkurs si në sistemin e burgjeve, si në sistemin e Hipotekave apo të ALUIZNI-t dhe askush nuk do të kujtohej që pikërisht ne që po përpiqemi të ndryshojmë mentalitetin dhe po ndryshojmë praktikat e së kaluarës abuzive të vihemi sot në bankën e të akuzuarve.

Reforma e thellë që kemi ndërmarrë tashmë në sistemin e burgjeve po jep rezultatet e veta, veçanërisht në forcimin e sigurisë së brendshme në IEVP-të, për të cilën të gjithë ju keni qenë dëshmitarë të të gjitha ndryshimeve që janë ndërmarrë kohët e fundit.

Shpreh keqardhjen për çdo deklaratë të opozitës, e cila është mësuar me aplikimet e skemave të vjetra të funksionimit të punësimeve të militantëve partiakë, duke përgatitur listat në selitë e partisë të tyre si në rastin e rekrutimeve të IEVP-së, Shkodër.

Kam besim që shqiptarët do të dinë të bëjnë dallimin dhe të gjithë ata që po më dëgjojnë e kuptojnë mjaft mirë që pavarësisht se ne nuk jemi të përsosur, apo nuk kemi arritur ende në përsosmërinë e ngritjes së sistemeve të rekrutimit, kryesisht në sistemin penitenciar, ku u gjet një sistem i kalbur në mënyrën e administrimit, po tentojmë fort dhe kushdo e kupton, që po ndajmë shtetin nga partia dhe po promovohen njerëzit sipas meritës.

Ministria e Drejtësisë është më shumë se e vendosur që pikërisht këtë praktikë të mirë të konkurseve meritokratike nëpërmjet sistemit të ndërtuar tashmë nëpërmjet Akademisë së sigurisë ta institucionalizojë me masa legjislative me qëllim krijimin e një trupe profesionale të policisë së burgjeve.

Dhe njëherë shpreh gatishmërinë time dhe të institucionit që drejtoj, por njëkohësisht edhe Drejtorisë së Policisë së Burgjeve për të vënë në dispozicion dosjen e rekrutimeve dhe të urdhrave të emërimit dhe çdo dosje të personave të cilët janë emëruar në sistemin e burgjeve, por njëkohësisht kërkojmë, për shkak se nuk do ndjekim rrugën gjyqësore për ta kërkuar këtë, përgënjeshtrimin e këtij lajmi të rremë që ka cenuar integritetin e disa personave dhe ka goditur pa bazë qeverinë.

Faleminderit