Prezantimi i rezultateve të Planit të Punës për 6 mujorin e parë të vitit 2019 - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 24/07/2019

Prezantimi i rezultateve të Planit të Punës për 6 mujorin e parë të vitit 2019

Mbështetja e EURALIUS për reformën, Ministria e Drejtësisë: Ekspertiza e tyre tregues i pamohueshëm për punën voluminoze

Ministria e Drejtësisë ka vlerësuar misionin EURALIUS në Shqipëri, duke çmuar kontributin e ofruar për implementimin dhe konsolidimin e reformës në drejtësi sipas standardeve evropiane.

Nisur nga vlerësimet që EURALIUS i bëri Ministrisë së Drejtësisë për rolin që po luan mbi reformimin e sistemit, Caka i ka shprehur mirënjohjen duke bërë edhe një bilanc të mbështetjes që ekspertët ndërkombëtarë kanë dhënë për ta bërë këtë projekt funksional.

Në takimin e tretë të Komitetit Drejtues të EURALIUS, u prezantuan rezultatet e Planit të Punës për 6 mujorin e parë të vitit dhe u miratua plani i punës për 6 mujorin e dytë. Ministria e Drejtësisë vlerëson kontributin tejet profesional të EURALIUS V, të mbështetur edhe nga IRZ dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, si dhe asistencën e padiskutueshme të përfaqësuesve të Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe aktorëve të tjerë institucionalë shqiptarë në kuadër të reformës në drejtësi.

Gjatë 6 mujorit të parë të 2019 EURALIUS ka mbështetur institucionet shqiptare me hartimin e 2 ligjeve dhe 31 akte nënligjore, ka mundësuar 17 komente, 33 raporte ekspertize dhe 20 opinione ligjore, sikurse edhe ka dhënë kontribut me 57 punime, 13 sesione trajnimi dhe 12 aktivitetet me 294 pjesëmarrës. Këto janë tregues të qartë dhe të pamohueshëm të punës së palodhur që ky mision ka marrë përsipër që prej fillimit të aktivitetit të tij në Shqipëri,

Ndërkohë Caka nënvizon edhe asistencën e ofruar për përfundimin e ligjeve të paketës së reformës në drejtësi.

EURALIUS ka asistuar Ministrinë e Drejtësisë jo vetëm në përfundimin e ligjeve që janë pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi si  p.sh. ndryshimet në Ligin për Statusin dhe Ligjin për qeverisjen Gjyqësore,  por edhe në hartimin dhe monitorimin e dokumenteve strategjikë.

Konkretisht, EURALIUS ka kontribuar në hartimin e Strategjisë së Edukimit Ligjor dhe ngritjen e Mekanizmit të Strategjisë Ndër-Sektoriale të Drejtësisë. Në planin e ardhshëm 6 mujor ekspertiza e EURALIUS për Ministrinë e Drejtësisë do të përqendrohet në fuqizimin e departamentit të Kodifikimit, përmirësimin e shërbimeve ligjore dhe trajnim e ekspertëve për Direktivat e Kapitullit 23.

Më tej, Caka rendit edhe institucionet që kanë përfituat nga misioni EURALIUS për t’u zhvilluar dhe fuqizuar në funksion të shtetit të së drejtës.

Përfitues të tjerë të ekspertizës së EURALIUS janë edhe KLP, KLGJ, KED, prokuroria dhe gjykatat, Shkolla e Magjistraturës si edhe profesionet e lira. Rrethi i gjerë i aktorëve në sistemin e drejtësisë që përfitojnë nga ekspertiza e EURALIUS është tregues për punën voluminoze të këtij projekti dhe dedikimin e ekspertëve të tij.

Patëm rastin edhe në këtë tryezë që si Ministri e Drejtësisë të shprehim mirënjohjen për kontributin profesional të EURALIUS në dhënien e mbështetjes për të ndërtuar një sistem gjyqësor te shëndetshëm, bazuar në pavarësi, transparencë, llogaridhënie dhe profesionalizëm.

Në kuadër të projektit për “Konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, EURALIUS i mbështetur nga fondacioni gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ) si dhe një sërë partnerësh të tjerë ndërkombëtarë, kanë shprehur herë pas here vlerësimin e tyre për Ministrinë e Drejtësisë duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet për ta bërë reformën funksionale dhe të barabartë për të gjithë shqiptarët.

  • TË REJAT E FUNDIT