» Ministrja Gjonaj: Bashkë për të drejtat e grave dhe kundër dhunës
Postuar më: 06/12/2018

Ministrja Gjonaj: Bashkë për të drejtat e grave dhe kundër dhunës

 

Përshëndetje të gjithëve!

Ju falënderoj për ftesën në këtë konferencë. Më vjen mirë që jo vetëm ndodhem në këtë panel me kolegen time Ogertën, por njëkohësisht duke pasur pjesëmarrje të kaq shumë aktorëve të shoqërisë civile dhe kryesisht organizatave të grave, të cilat kanë luftuar dhe luftojnë përditë dhe këtë nuk e them sot vetëm nga pozicioni i ministres së drejtësisë, por e kam parë nga afër për shumë vite, se sa përpjekje bëjnë organizatat që luftojnë për të drejtat e grave me qëllim që t’ju jepet i njëjti shans dhe të ushtrojnë të gjitha të drejtat njësoj po ashtu si edhe burrat.

Gjithashtu, më vjen mirë që në panel është edhe kryetarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, ku jam e sigurt se nga eksperienca e saj si drejtuese e kësaj gjykate duke mbajtur në konsideratë edhe numrin e lartë të çështjeve gjyqësore që shqyrtohen në këtë gjykatë do të ndajë me ne eksperiencat, vështirësitë duke qenë jo vetëm si kryetare grua në krye të kësaj gjykate, por duke parë edhe problemet e vetëadministrimit të këtij institucioni.

Është një ndjesi shumë pozitive për mua të jem në panelin e kësaj konference  që zhvillohet në kuadër të 16 ditëve të dhjetorit, që i kushtohen sensibilizimit kundër dhunës në familje, kundër dhunës ndaj grave.

Kjo është një sfidë që ne mund ta fitojmë vetëm duke punuar së bashku. Është një sfidë që mund ta fitojmë vetëm duke shtuar numrin e atyre që luftojnë për të drejtat e grave dhe që nuk i shikojnë të drejtat e grave thjesht si fjalë të bukura në letër, por si një realitet që duhet siguruar për të sotmen dhe të ardhmen tonë.

Oscar Ëilde-i ka thënë: “Jepuni grave mundësi të përshtatshme dhe ato do të jenë në gjendje të bëjnë gjithçka”.

Trashëgimia jonë historike ka treguar se gratë dhe vajzat i kanë dhënë kontribut të madh vendit tonë, duke qenë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e tij. Një kontribut i pazëvendësueshëm që ka nisur nga familja, te shoqëria e duke vijuar në fusha specifike të jetës. Por, për fat të keq jo gjithmonë kanë marrë mbrapsht vlerësimin dhe respektin e merituar.

Respektimi i të drejtave të grave dhe vajzave, si pjesë integrale e të drejtave universale të njeriut, mbetet sot një detyrë për shtetin dhe gjithë shoqërinë tonë. Dhe mua më vjen mirë që titulli i kësaj konference është “Të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut”. Ndërkohë që dhuna ndaj grave dhe vajzave përbën një fenomen shumë shqetësues, që trondit jo vetëm familjen, por të gjithë shoqërinë.

Ministria e Drejtësisë e ka vlerësuar si një prej prioriteteve më të rëndësishme të saj punën për sigurimin dhe respektimin e të drejtave të grave si dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna.

Me besimin se për të siguruar të drejta për gratë dhe për të parandaluar dhunën ndaj tyre, nuk mjaftojnë vetëm fushatat sensibilizuese, ne jemi angazhuar në mënyrë të plotë për të gjetur zgjidhje konkrete ligjore dhe strukturore.

Ministria e Drejtësisë, veçanërisht gjatë vitit të fundit, e ka orientuar punën e saj për garantimin e të drejtave njerëzore të grave dhe parandalimin e dhunës ndaj tyre në dy drejtime:

  • Në hartimin dhe miratimin e një kuadri ligjor sa më të plotë dhe bashkëkohor për mbrojtjen e grave dhe ajo çfarë është shumë e rëndësishme aksesin në drejtësi përmes ndihmës juridike falas
  • Dhe njëkohësisht me një iniciativë të përbashkët me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Brendshme për ngritjen e një zyre koordinimi kundër Dhunës në Familje.

 

Me iniciativat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë është bërë e mundur që kuadri ligjor për garantimin e të drejtave të grave, ndihmës ligjore dhe parandalimit të dhunës ndaj tyre të jetë më i kompletuar.

Në vitin 2017, Ministria e Drejtësisë ndërmori iniciativën ligjore për të bërë disa ndryshime dhe për të plotësuar kuadrin ligjor me akte nënligjore edhe të ligjit për Ndihmën Juridike Falas.

Njëkohësisht një ligj shumë i rëndësishëm është edhe Kodi i Procedurës Penale, i cili ka parashikuar në dispozitat e reja ligjore, që të përcaktojnë të drejtat e viktimës së veprës penale, në aspektin procedural penal, duke e trajtuar viktimën si subjekt të posaçëm dhe me të drejta të privilegjuara në krahasim me pjesëmarrësit e tjerë, në Kodin e Procedurës Penale.

Një ligj tjetër i rëndësishëm i ndryshuar në vitin 2018, i cili rregullon parandalimin dhe luftën kundër dhunës në familje, është ligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Pavarësisht të gjitha përpjekjeve që ne kemi bërë në qeveri, kontributi kryesor i takon koleges sime Ogertës, për përpjekjet dhe rezultatet që ka arritur lidhur me ndryshimin e ligjit.

Me ndryshimet e bëra, ligji ofron garanci për mbrojtjen e viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare, asistencën për strehim të përkohshëm, transportin drejt një strehimi të sigurt ose drejt shërbimeve të kërkuara, shoqërimin drejt urgjencës ose shërbimeve mjekësore dhe një sërë shërbimesh për viktimat e dhunës në familje.

Me synim forcimin e aksesit në drejtësi përmes ligjit për Ndihmën Juridike, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur aktet nënligjore me qëllim zbatimin e këtij ligji duke i dhënë një rëndësi të veçantë pikërisht ofrimit të ndihmës juridike falas për gratë të cilat janë viktima të dhunës në familje.

Ky ligj ka për objekt përcaktimin e formave, kushteve, procedurave dhe rregullave për organizimin dhe administrimin e ndihmës juridike të garantuar nga shteti, me qëllim që të mbrohen të drejtat themelore të individit dhe interesat e ligjshme të tij, duke i ofruar njëkohësisht ndihmë juridike parësore dhe dytësore.

Në bashkëpunim edhe me organizatat ndërkombëtare, por edhe me shoqërinë civile, Ministria e Drejtësisë ka planifikuar që në vitin 2019 të ngrejë 8 qendra, ku do të ofrohet ndihma juridike parësore, kryesisht pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, por edhe pranë bashkive, aty ku në ato gjykata nuk ka mundësi fizike për të akomoduar këtë zyrë, me qëllim që jo vetëm t’ju ofrohet ndihma juridike parësore të gjithë individëve që do kenë nevojë, por kryesisht grave të cilat janë viktima të dhunës në familje.

Kemi diskutuar për mënyrën se si do të qaset më afër shoqëria civile pikërisht ndaj kësaj kategorie grash për të cilat do të ofrohet ndihmë më e specializuar juridike, pra jo vetëm nga zyra e ndihmës ligjore që do të ngrihet nga Ministria e Drejtësisë, por duke pasur mundësinë e një trajtimi ndryshe, social, ashtu siç qendrat e këshillimit bëjnë apo organizata të tjera ofrojnë.

Më lejoni të theksoj se njëkohësisht në vëmendjen e Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2018, por që do vazhdojë të jetë, është pikërisht garantimi dhe respektimi i të drejtës së pronës së grave, e konsideruar si një e drejtë e themelore.

Problemet që i janë paraqitur Ministrisë së Drejtësisë edhe nga shoqata të ndryshme që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave dhe kryesisht të mbrojtjes së të drejtave pasurore janë pikërisht ato që na kanë ndezur dritën e kuqe për të kuptuar se gratë janë të pambrojtura lidhur me garantimin dhe respektimin e të drejtës së tyre pasurore. Kjo vjen edhe për shkak të një sërë procesesh tranzitore që vendi po kalon lidhur me të drejtën e pronësisë. Këtu mbaj në konsideratë edhe procesin e legalizimeve, por edhe për faktin e një mungese të integruar të legjislacionit të së drejtës së pronës që e ka bërë atë të pamundur për t’u trajtuar ashtu siç duhet dhe pikërisht janë gratë ato të cilat në të shumtën e rasteve nuk kanë arritur të përfitojnë nga këto procese tranzitore me qëllim që të kenë të drejtën e pronësisë njësoj si burrat.

Mjafton t’ju jap një shembull që ju gjatë punës suaj të përditshme e keni hasur, ku nëse një grua ka aplikuar ose bashkëshorti ka aplikuar në emër të saj në zyrat e ALUIZNI-t për të legalizuar banesën që ata e kanë pasur së bashku në regjimin e përbashkët pasuror dhe nëse ka ndodhur një divorc apo më keq një divorc për shkak të dhunës në familje, në rastet kur kjo pasuri duhet të ishte regjistruar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ajo regjistrohej automatikisht vetëm në emër të bashkëshortit dhe gruaja automatikisht mbetej pa pasuri.

Duke mbajtur në konsideratë këtë çështje ne jemi munduar ta trajtojmë pikërisht duke përpiluar disa urdhra të brendshëm, por nga ana tjetër edhe në kuadrin e ri ligjor që trajtohet e drejta e pronës, nëpërmjet agjencisë së integruar, pikërisht të drejtat pasurore të grave do të jenë ato që do të zënë një vend dhe i kemi pasur në konsideratë edhe kur kemi hartuar draft ligjin i cili sot po diskutohet në Kuvend, me qëllim që gratë të mos jenë ato që enden nëpër zyra por të gëzojnë të njëjtat të drejta ashtu si bashkëshortët, që nga procesi i aplikimit për legalizimin e pronës dhe deri tek regjistrimi i saj dhe më pas ndarjen kur një çift divorcohet.

Gjithashtu, dua të theksoj se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Brendshme ashtu siç përmenda kemi hapur Zyrën e Koordinimit Kundër Dhunës në Familje, ku kryesisht kryen disa veprime për gratë të cilat janë paraqitur atje. Janë pikërisht pritja e grave që kanë raste të dhunës në familje, adresimi dhe referimi i saktë i problemeve dhe shqetësimeve të këtyre grave tek institucionet përgjegjëse dhe ajo çfarë është shumë e rëndësishme, ofrimi i këshillimit ligjor për atë çfarë mund të bëjë një zyrë në Ministrinë e Drejtësisë që administrohet nga tre ministritë, më shumë për të koordinuar të gjitha veprimet së bashku se sa për të zëvendësuar rolin e shoqërisë civile apo rolin e atyre zyrave për dhunën në familje në pushtetin vendor.

Është shumë e rëndësishme për të theksuar se me synimin për të institucionalizuar dhe konkretizuar masat për garantimin e të drejtave të grave dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna është miratuar pikërisht “Plani i Veprimit për Barazinë Gjinore, 2018-2020”. Ndërkohë që në muajin korrik të këtij viti Ministria e Drejtësisë ka filluar të monitorojë zbatimin e rekomandimeve të paraqitura në Raportin e GREVIO-s, Rekomandimeve të Komitetit CEDAË dhe Rekomandimeve të UPR-së, gjithmonë sa i përket të drejtave të grave lidhur me të drejtat e pronësisë apo aksesin në sistemin e drejtësisë.

Kur i rendit gjithë çfarë kemi bërë për të garantuar të drejtat e grave dhe për të parandaluar dhunën në familje, vlerësojmë se nuk është bërë pak. Po pavarësisht këtyre, ne jemi të vetëdijshëm se dhuna ndaj grave mbetet ende një problem shqetësues dhe kërkon më shumë impenjim si nga strukturat shtetërore, ashtu dhe nga shoqëria dhe institucionet e tjera të specializuara, përfshirë edhe shoqërinë civile.

Dyert tona kanë qenë gjithmonë dhe do të mbeten të hapura për çdo aktor të shoqërisë civile që do të jetë i gatshëm të ofrojë kontributin e vet në këtë përpjekje të përbashkët për të ndaluar dhunën ndaj grave dhe për t’u siguruar atyre të drejtat që u takojnë.

Të mos harrojmë se pjesë e vuajtjes së dënimit në institucionet ligjzbatuese janë edhe gratë. Unë, gjithashtu edhe me mbështetjen e kryeministrit dhe Ministrinë e Drejtësisë, po përpilojmë një akt ligjor i cili ka të bëjë me amnistinë e fundvitit, ku ashtu siç unë jam zotuar në mënyrë publike por që gjen vend edhe në këtë pr/ligj, pikërisht ata persona që janë dënuar për vepra penale seksuale apo vepra penale të dhunës në familje nuk do të gjejnë vend në pr/ligjin për amnistinë. Jam e sigurt që kësaj gjëje do t’i shkoj deri në fund duke pasur edhe mbështetjen e grave deputete, të cilat në asnjë rast nuk do të pranojnë që kjo kategori apo këto subjekte të dënuara për këto vepra penale të mos bëjnë pjesë në këtë amnisti.

“Fuqizimi i gruas, fuqizon njerëzimin – përfytyrojeni këtë”. Është pikërisht

Helen Klark, Administratore e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe ish-Kryeministre e Zelandës së Re, e cila ka thënë këto fjalë dhe unë do të doja ta mbyllja fjalën time me shprehjen e saj, duke falënderuar organizatorët e kësaj konference dhe duke shprehur bindjen se ky aktivitet është vetëm një gur më shumë në murin e lartë të të drejtave të grave që së bashku duhet ta ndërtojmë dhe të bëjmë më shumë përpjekje me qëllim që viti 2019 të shënojë në këtë mur të lartë më shumë të drejta të arritura, jo thjesht në letër, por të zbatuara.

 

Faleminderit