Ministri Naço takon Drejtorin e Politikave Ndërkombëtare të Emigracionit, të Britanisë së Madhe, Z. Mike Anderson. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 19/11/2013

Ministri Naço takon Drejtorin e Politikave Ndërkombëtare të Emigracionit, të Britanisë së Madhe, Z. Mike Anderson.

Çështjet e emigracionit dhe krimit të organizuar kanë qenë fokusi i bisedës së Ministrit të Drejtësisë, Z. Nasip Naço gjatë një takimi me Ambasadorin Britanik në Shqipëri, Z. Nicholas Cannon dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Politikave Ndërkombëtare të Emigracionit, të Britanisë së Madhe, Z. Mike Anderson.

Z. Anderson i cili po zhvillon një vizitë disa ditore në vendin tonë ka marrë pjesë në takime të nivelit të lartë ku ka diskutuar në lidhje me pozicionin e Britanisë së Madhe në çështjet e emigracionit dhe krimit të organizuar.

Puna e deritanishme e Ministrit Naço, ndonëse në fillimet e mandatit të tij si Ministër, është vlerësuar maksimalisht dhe Z. Anderson e ka cilësuar ecurinë e deritansishme të punës si mjaft mbresëlënëse.

Referuar zbatimit të marrëveshjeve të rëndësishme të cilat janë në proces, Z. Anderson theksoi se Britania e Madhe beson në drejtësinë shqiptare dhe institucionet e saj, pavarësisht sfidave dhe problematikave aktuale. Ai gjithashtu shprehu besimin e tij tek autoritetet shqiptare se asistencën dhe mbështetjen e deritanishme do ta adresojnë në rrugën e duhur, duke sjellë si shembullin më të mirë punën e bërë me shërbimin e provës.

Ndërsa ka konfirmuar angazhimin e Britanisë së Madhe në vijimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, Z. Anderson gjatë takimit është ndalur në sfidat kryesore me të cilat përballet sot Britania e Madhe, por edhe vende të tjera të zhvilluara, për të gjetur mjetet më efikase në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit.

Ministri Naço ka vlerësuar asistencën e autoriteteve britanike nëpërmjet Ambasadës Britanike në Tiranë, veçanërisht përsa i takon Institucionit të Shërbimit të Provës, nëpërmjet Projektit të Binjakëzimit me Shërbimin e Provës Britanik dhe u shpreh se e mirëpret vazhdimësinë e asistencës në kuadër të përmirësimit dhe modernizimit të organeve ligjzbatuese.

Ndërkaq, një histori suksesi e ka konsideruar Ambasadori Cannon marrëdhënien e deritanishme me Ministrinë e Drejtësisë duke vlerësuar se ky është një tregues pozitiv i stadit të marrëdhënieve dypalëshe.

  • TË REJAT E FUNDIT