Fjalimi i Ministrit Naço gjatë seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 27/11/2013

Fjalimi i Ministrit Naço gjatë seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

Reformimi, modernizimi dhe dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet tona, ku krahas përmirësimeve legjislative do të kërkojë dhe marrjen e masave të nevojshme zbatuese.

Marrja e statusit të vendit kandidat kërkon padyshim një vullnet politik, me prioritetin kryesor jo vetëm të qeverisë, por dhe të gjithë shqiptarëve, për të respektuar:

  • Kushtetutën,
  • Konventat Ndërkombëtare,
  • Standardet më të mira Evropiane,

Mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, që të gjitha sëbashku kërkojnë, ndër të tjera, dhe një bashkëpunim konstruktiv midis maxhorancës dhe opozitës.

Pashaporta jonë për në BE është:

  • Lufta kundër korrupsionit dhe krimit  të organizuar,
  • Reformimi, dixhitalizimi,
  • Modernizimi i gjithë sistemit të drejtësisë.

Ky është prioriteti ynë.

Në luftën tonë të përbashkët kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhet të jemi të vendosur që të kemi një qasje të re,

  • të ndërtojmë politika të reja dhe
  • të dëshmojmë një vullnet të ri për të shkuar përpara.

Kjo është beteja jonë më e rëndësishme, me synimin për t’i rikthyer besimin qytetarëve tek sistemi i drejtesisë dhe që do të hapi perspektiva të reja për zhvillimin e vendit tonë drejt integrimit në familjen evropiane.

Konsolidimi i shtetit të së drejtës,

  • I pavarësisë së pushteteve duke patur në vëmendje parimin check & balance,
  • I eficencës në fushën e drejtësisë,
  • Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimi i kapaciteteve administrative janë udhërrëfyesi ynë në betejat që na presin.

Reformimi, dixhitalizimi, modernizimi i çdo mekanizmi që shteti ka në strukturën e vet,

  • i çdo hallke në sistemin e të drejtës,
  • i çdo shërbimi që shteti ka në detyrimet e veta, do të jetë kryefjala e ndryshimeve ligjore, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.

Të ndërtojmë një sistem efikas dhe transparent! Një sistem në bazë të Kushtetutës,

  • në bazë të ligjit,
  • në bazë të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarit,
  • në bazë të përpjekjes sonë për t’u integruar në Familjen Evropiane.

Askush të mos jetë mbi ligjin!

Të gjithë të barabartë përpara ligjit!

Një ligj i respektuar nga të gjithë!

Kjo është motoja e drejtësisë Evropiane.

Kjo maxhorancë do të vërë në dispozicion dhe do të mobilizojë të gjithë burimet e duhura njerëzore, teknike dhe financiare që ajo ka në dispozicion, në shërbim të një faqeje të re të sundimit të ligjit në Shqipëri, në përputhje edhe me standardet e pritshme për një vend kandidat të BE-së.

Shqipëria është e të gjithëve. Ajo ka nevojë edhe për kontributin e opozitës, e cila në shumë pikëpamje mund të mos jetë dakord me ne, por integrimi i Shqipërisë është emëruesi i përbashkët që duhet të na vërë në pozita bashkëpunuese.

Në Progres Raportin e Komisionit Evropian të vitit 2013, theksohet se Shqipëria duhet  të përditësojë strategjinë e reformës së saj gjyqësore dhe të promovojë më tej pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve të saj gjyqësore.

Raporti adreson gjithashtu një sërë shqetësimesh që lidhen me promovimin e gjyqtarëve, si dhe garantimin e zbatimit të reformës kushtetuese të vitit 2012.

Vlen të përmendet se është shënuar progres në lidhje me plotësimin e kuadrit ligjor për reformën gjyqësore, i cili është prioritet kyç, por mbetet ende shumë për të bërë.

Ministria e Drejtësisë për këtë qëllim do të mbështetet në një analizë dhe studim të detajuar të performacës së kuadrit ligjor ekzistues me konventat penale e civile të Këshillit të Europës kundër korrupsionit, duke ndërhyrë edhe në akte të tjera ligjore që lidhen me këtë qëllim, si:

  • ndryshimet në Kodin Civil, për të përshtatur standardet e Konventës Civile të Këshillit të Europës,
  • vendosjen e përgjegjësisë civile që rrjedh nga veprimet korruptive,
  • ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile, lejimin e provës me dëshmitarë për veprime korruptive,
  • përcaktimi i përgjegjësisë së administratës shtetërore për shkak të veprimeve korruptive,
  • ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, shtimi i përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit për veprat penale korruptive,
  • ndryshime në Kodin e Procedurës Administrative, përgjegjësia e administratës publike dhe punonjësve të saj për dëmet që u shkaktojnë personave privatë nëpërmjet veprimeve korruptive,
  • ndryshime në Kodin Penal e të tjera.

Nëpërmjet Strategjisë Antikorrupsion në fushën e drejtësisë do të intensifikohet ndjeshëm lufta kundër korrupsionit, duke shembur murin e pandëshkueshmërisë.

Realizimi i këtij qëllimi do të përqëndrohet  në katër drejtime kryesore:

  • ndërgjegjësim,
  • parandalim
  • dekurajim,
  • zbatim i ligjit përmes masave të mësipërme.

Të nderuar koleg deputet,

Ne jemi të vetëdijshëm që konsolidimi i shtetit të së drejtës nëpërmjet:

-luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit,

  • -reformimit,
  • -dixhitalizimit
  • -dhe modernizimit të sistemit gjyqësor do të jetë pashaporta jonë drejt integrimit të shqipërisë në BE.

Këto janë sfidat tona të përbashkëta, për të adresuar në rrugën e duhur qëllimin e përbashkët, për të vënë në qendër, të çdo reforme, qytetarin shqiptar që na ka besuar realizimin e qëllimit të tij për të qenë pjesë e një shoqërie Evropiane.

  • TË REJAT E FUNDIT