» Festat, Gjonaj me të dënuarat e IEVP-së “Ali Demi”: Uroj të përfitoni nga amnistia, apel opozitës ta votojë
Postuar më: 24/12/2018

Festat, Gjonaj me të dënuarat e IEVP-së “Ali Demi”: Uroj të përfitoni nga amnistia, apel opozitës ta votojë

 

 

Në prag të festave të fundvitit, Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve z. Stefan Çipa, kanë marrë pjese në një festë të organizuar ne burgun 325 në Tiranë me gratë e dënuara dhe fëmijët e tyre.

Përveçse gëzuan pranë më të shtrenjtëve të tyre, gratë e dënuara morën edhe një premtim nga ministrja Gjonaj, e cila tha se do të angazhohej fort që një pjesë e tyre të përfitonin nga amnistia e fundvitit dhe të fitonin lirinë. Madje në këtë drejtim, ministrja i bëri thirrje opozitës që të bashkojë votat në Kuvend me shumicën dhe të votojnë amnistinë.

“Unë shpresoj fort që edhe ajo amnisti që ne e kemi propozuar të miratohet nga Kuvendi, pavarësisht se nuk është e thjeshtë ngaqë nuk varet vetëm nga maxhoranca qeverisëse, pasi do një shumicë të cilësuar të votave, por do t’i bëjmë thirrje në mënyrë të vazhdueshme. Përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje opozitës që ta votojë në Parlament amnistinë me qëllim që një pjesë prej jush të përfitoni dhe të ktheheni pranë gjirit të familjes”, tha Gjonaj gjatë festës së organizuar me gratë e IEVP-së “Ali Demi”.

E deri sa kjo nismë të finalizohet, Gjonaj uroi një vit të mbarë të mbushur me shëndet për çdo grua dhe nënë që vuan dënimin pranë burgut “Ali Demi”, por gjithashtu edhe për familjarët e tyre.

“Do të doja t’iu uroja me gjithë zemër në radhë të parë shëndet për ju dhe familjarët tuaj, më të mirën për fëmijët që keni, por edhe atyre të cilave nuk iu kanë ardhur fëmijët sot, duke iu uruar vetëm mbarësi dhe qoftë viti 2019 një vit sa më i mbarë”, uroi Gjonaj.

Ministrja ju foli edhe për projektet që Ministria e Drejtësisë ka nisur për të mundësuar kushte më të mira jetese brenda IEPV-ve, por edhe mundësi trajnimi e punësimi për to, që kur të fitojnë lirinë ta kenë më të lehtë riintegrimin në shoqëri.

Mesazhe urimi ministrja kishte rezervuar edhe për stafin e policisë së burgut, tek të cilat vlerësoi përkushtimin në zbatimin e detyrës së tyre.

“Një falënderim dhe një urim special shkon edhe për stafin e institucionit, të veshur me uniformë por edhe për stafin civil, të cilat harxhojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre brenda me ju, duke kuptuar dhe duke ndarë hallet dhe shqetësimet tuaja dhe duke mos harruar që edhe ato janë gra, nëna dhe kanë po ashtu shqetësime për ju”.