» Deklaratë për shtyp mbi rezultatet e luftës kundër korrupsionit
Postuar më: 10/04/2019

Deklaratë për shtyp mbi rezultatet e luftës kundër korrupsionit

Jam këtu përpara jush në këtë raportim të përjavshëm, lidhur me masat dhe rezultatet e punës së strukturave të luftës kundër korrupsionit në administratën publike.
Task Forca Ndërinstitucionale Antikorrupsion ka vijuar me inspektime dhe kontrolle në institucione e administratës publike dhe zyrat që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve.
Trupa e inspektorëve të Task Forcës Antikorrupsion ka ushtruar kontroll administrativ dhe ligjor në Qendrën Kombëtare të Cilësisë Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSAISH), Tiranë, lidhur me respektimin e parashikimeve ligjore në procedurat e akreditimit të institucioneve shëndetësore, si dhe të vlerësimit të standardeve të paracaktuara të cilësisë dhe sigurisë që duhet të sigurohen nga këto institucione.
Nga kontrolli janë evidentuar shkeljet në vijim;

 Parregullsi dhe mangësi në mbajtjen dhe evidentimin e dokumentacionit ligjor në mospërputhje me respektimin e parashikimeve ligjore në procedurat e akreditimit të institucioneve shëndetësore;
 Institucioni gjatë kësaj peridhe ka kryer përpjekje minimale për nxitjen dhe ndërgjegjësimin e institucioneve shëndetësore për të filluar dhe finalizuar procedurën ligjore të akreditimit apo arritjen/mbajtjen e standardeve shëndetësore të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë të ofrimit të shërbimit shëndetësor për qytetarët;
 Vizitat e mbikëqyrjes së akreditimit, nuk kryhen rregullisht, periodikisht çdo një vit pas akreditimit, sipas parashikimit ligjor të detyrueshëm, qëllimi i të cilit është vlerësimi i vazhdueshmërisë së plotësimit të standardeve për akreditim, në kundërshtim kështu më legjislacionin në fuqi.

Në përfundim të kontrollit janë rekomanduar 9 masa disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra”
– për Drejtorin e institucionit,
– përgjegjësin e sektorit dhe
– 7 specialistët e Sektorit të Akreditimit dhe Sektorit të Cilësisë, Sigurisë, Menaxhimit të Rreziqeve dhe të Drejtave të Pacientit.

Janë rekomanduar gjithashtu dhe masa administrative për përmirësimin e veprimtarisë të institucionit dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Gjithashtu kontrolle periodike vijojnë të ushtrohen edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Në këtë javë, janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë materialet procedurale, në ngarkim të 6 punonjësve të IEVP-së Vlorë për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, përfshirë dhe Drejtorin e këtij institucioni.
Nga strukurat kundër korrupsionit, në Policinë e Shtetit, nga java që lamë pas, janë evidentuar 7 vepra penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, duke proceduar penalisht 11 autorë.

Për të gjitha rastet e evidentuara, nga strukturat për hetimin e korrupsionit janë kryer veprimet hetimore dhe referuar në Prokurori, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Dua ta mbyll deklaratën e sotme me një falenderim dhe një inkurajim për të gjitha institucionet ligjzbatuese të cilat vijojnë të punojnë duke prodhuar rezultate gjithnjë e më konkrete në sfidën e përbashkët të luftës kundër korrupsionit; si dhe të ftoj qytetarët të vijojnë e të na mbështetin me përfshirjen e tyre dhe denoncimet e rasteve korruptive që hasin në marrëdhëniet e përditshme me institucionet shtetërore.

Faleminderit!