» Antikorrupsioni, 445 masa ndëshkimore në një vit, Gjonaj: Ky është vetëm fillimi, në 2019 ndëshkim zyrtarëve të lartë
Postuar më: 10/12/2018

Antikorrupsioni, 445 masa ndëshkimore në një vit, Gjonaj: Ky është vetëm fillimi, në 2019 ndëshkim zyrtarëve të lartë

 

Sot, në kuadër edhe të datës 9 dhjetor si Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit,

në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion së bashku me ambasadorin Soreca, zhvilluam një takim të zgjeruar me dy strukturat antikorrupsion, Komitetin Koordinator dhe Task Forcën Ndërinstitucionale Antikorrupsion.

Me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe shoqërisë civile, për të bërë bilancin e një viti pune, për të prezantuar arritjet dhe rezultatet në lidhje me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2018.

Ka qenë një vit i mbushur plot me sfida në luftën kundër korrupsionit për qeverinë shqiptare por njëkohësisht edhe për mua në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion. Por që në bashkëpunim me anëtarët e kabinetit qeveritar, institucionet e tjera ligjzbatuese, polici, prokurori, ne anëtarët e Task Forcës, kemi arritur që të ndërtojmë së bashku një bazë të mirë në arritjen e kësaj nisme të përbashkët të rezultateve antikorrupsion.

Lufta kundër korrupsionit është prioritet i qeverisë shqiptare, jo vetëm si një rekomandim i BE-së, por njëkohësisht si një prioritet i kësaj qeverie për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetareve, nëpërmjet forcimit të shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit, transparencës dhe integritetit të institucioneve ligjzbatuese.

Lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat më të rëndësishme për qeverinë, rezultatet e së cilës impaktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e përditshme të qytetarëve e në të njëjtën kohë edhe zhvillimin ekonomik, social e kulturor të vendit.

Është rruga e vetme prej nga kalon procesi i integrimit të vendit në familjen e madhe evropiane, një ëndërr dhe synim i kahershëm i qytetarëve shqiptarë.

Janë pikërisht këto arsye madhore, që e kanë shndërruar luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor në një betejë të detyrueshme për t’u fituar dhe në një objektiv real të qeverisë shqiptare.

Një ndër reformimet më të rëndësishme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në këto 28 vjet në luftën kundër korrupsionit është pikërisht reforma në drejtësi, e cila si një reformë radikale dhe unike në llojin e saj në rajon, por edhe më gjerë, po jep tashmë frytet e veta në pastrimin e pallatit të Drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Por jo vetëm kaq.

Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë si mekanizma që do të garantojnë edhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në çështje korrupsioni do të jetë një hap shumë i rëndësishëm që do të ndihmojë në rifitimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe do të shënojë një gur themeli në luftën kundër korrupsionit.

Me kalimin e funksionit të Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit pranë ministrit të drejtësisë, mund të them me plot bindje se është forcuar roli i koordinatorit në luftën kundër korrupsionit si dhe bashkë me strukturat e reja antikorrupsion, të cilat tashmë prej 6 muajsh janë në aktivitet të plotë dhe me një efikasitet të vlerësueshëm edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë këtij viti, angazhimi ynë në luftën kundër korrupsionit ka qenë i orientuar në dy drejtime shumë të rëndësishme:

  • Në qasjen parandaluese, përmes rritjes së transparencës, përmirësimit të aksesit të qytetarëve në informacion dhe modernizimin e sistemeve
  • Dhe nga ana tjetër në masat për identifikimin dhe ndëshkimin e çdo nëpunësi të administratës shtetërore të përfshirë në akte korruptive apo abuzim me detyrën.

 

Qeveria miratoi në prill 2018, Planin e Veprimit 2018 – 2020, hartuar me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, i cili jetëson objektivat e strategjisë por dhe përmbush prioritetet qeverisëse për të luftuar korrupsionin, përmes rritjes së transparencës, forcimit të integritetit si dhe përdorimit të Inovacionit dhe derregullimit të shërbimeve publike si instrumente të rëndësishme në këtë luftë.

Për herë të parë këtë vit, angazhimet e të gjitha institucioneve lidhur me masat e planit të veprimit janë ndjekur nëpërmjet një strukture në nivel politik të ngritur tashmë dhe që përbëhet nga zëvendësministrat e të gjitha ministrive, dhe pikërisht kjo për të forcuar përgjegjësinë administrative dhe institucionale si dhe për të përmbushur angazhimet e marra në këtë plan.

Në funksion të masave parandaluese:

  • Është rritur transparenca e qeverisjes duke përmirësuar ndjeshëm procesin e konsultimit publik dhe atë të informimit publik, si në institucionet e qeverisjes qendrore ashtu dhe në ato të qeverisjes vendore.
  • Dixhitalizimi i shërbimeve që iu ofrohen qytetarëve është një ndër masat që ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e rasteve të korrupsionit. Është shtuar numri shërbimeve publike që qytetarët mund të marrin online. Aktualisht 575 shërbime elektronike, ose 41 herë me shumë se në vitin 2013, janë vënë në funksion të qytetarëve dhe të biznesit nëpërmjet portalit e- Albania, duke i ndihmuar ata të marrin një shërbim më cilësor si dhe i presin rrugën praktikave korruptive. Mjafton të kujtojmë shërbimin më të ri të Fast Track-ut, që u inaugurua para disa ditësh, një shërbim i shpejtë që ofrohet në ZRPP-në, Tiranë, brenda 24 orëve për rreth 40% të shërbimeve që ofrohen pranë kësaj zyre.
  • Platforma Shqipëriaqëduam.al është shndërruar në një dritare ku qytetarët janë gjithnjë e më aktivë në luftën kundër korrupsionit.
  • Është forcuar bashkëpunimi mes institucioneve ligjzbatuese dhe Prokurorisë dhe vijon puna për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të tyre.
  • Është përmirësuar dhe rritur efikasiteti i auditimit dhe inspektimit të brendshëm dhe përdorimit sistematik të analizave të riskut, nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve të audituesve të brendshëm.

 

Të gjitha këto masa kanë sjellë edhe vlerësime domethënëse nga organizmat ndërkombëtare. Raporti i Dytë i Përputhshmërisë për raundin e katërt të vlerësimit të Shqipërisë në GRKO, vlerëson se Shqipëria ka implementuar dhe është duke punuar në mënyrë të kënaqshme me të gjitha rekomandimet e dhëna. Nga 1 në 10 në vlerësimin e kaluar, sot Shqipëria ka përmbushur në mënyrë të kënaqshme 4 nga 10 rekomandimet.

Paralelisht me këto masa është intensifikuar aktiviteti i Task Forcës Antikorrupsion, që ka në përbërje të saj një sërë institucionesh që angazhohen në kryerjen e kontrolleve dhe inspektimeve të vazhdueshme, e cila ka mundur të prodhojë rezultate shumë të mira në drejtim të identifikimit dhe ndëshkimit të punonjësve të administratës të përfshirë në afera korruptive.

Më lejoni të ndaj me ju, se që nga maji 2018 që shënon dhe ngritjen e kësaj Task Force Antikorrupsion, janë ushtruar kontrolle dhe inspektime në 58 institucione të administratës shtetërore, ndër të cilat institucione të trajtimit të pronës; drejtori ekzekutive, inspektorate të ndryshme, drejtori bujqësore, drejtori tatimore dhe hetimi tatimor, spitale dhe institucione të shëndetit publik, si dhe agjenci ekzekutive dhe drejtori të sigurimeve shoqërore:

Në total për shkeljet e konstatuara:

  • Janë rekomanduar 296 masa administrative, masa që ju janë dhënë institucioneve për përmirësimin e veprimtarisë së tyre dhe rivendosjen në vend të ligjshmërisë në disa aspekte të punës së tyre.
  • Në total janë dhënë 445 masa disiplinore për drejtues dhe punonjës të administratës, të cilët janë gjetur në shkelje ligjore dhe afera korruptive në punën e tyre. 33% e këtyre masave kanë qenë për pozicione në nivel drejtues.
  • Nga këto masa disiplinore vlen të theksoj se 102 prej tyre janë largime nga puna.
  • Ndërsa 36 punonjës janë kallëzuar penalisht pranë organeve të Prokurorisë, pasi kanë qenë të dyshuar për veprat penale të korrupsionit apo shpërdorimit të detyrës.

 

Rezultatet e arritura kanë ndikuar në mënyrë të veçantë në rritjen e ndjeshmërisë së publikut për denoncimin e korrupsionit dhe rrjedhimisht edhe në rritjen e numrit të ankesave dhe denoncimeve të kryera nga qytetarët në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.

Me kënaqësi mund të them që besimi i qytetarëve tek veprimtaria e strukturave të Task Forcës Antikorrupsion është shtuar duke rritur ndjeshëm numrin e rasteve të ankesave ose denoncimeve për çështjet korruptive ose abuzimit me detyrën.

I jemi kushtuar me të njëjtin përkushtim si masave parandaluese dhe atyre ndëshkuese, pasi një ndër sfidat kryesore të qeverisë dhe të Kryeministrit Rama është lufta me të gjitha format kundër rasteve korruptive.

Janë rezultate mjaft inkurajuese, të cilat qeveria është e vendosur t’i çojë përpara, duke shtuar masat parandaluese, si dhe duke forcuar kontrollet dhe masat ndëshkuese.

Jemi të vetëdijshëm që perceptimi i qytetarëve për korrupsionin nuk mund të ndryshojë në një kohë të shkurtër, por jemi të vetëdijshëm që:

  • Nëpërmjet vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve;
  • Ngritjes së institucioneve të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;
  • Masave të marra nga Task Forca Antikorrupsion;
  • Modernizimi i shërbimeve nëpërmjet sistemeve dhe dixhitalizimit të tyre.

Do të mund të ofrojmë më shumë transparencë qeverisëse, shërbim më të mirë, më profesional më të shpejtë dhe do të ulim rastet korruptive të shërbimeve që qytetarët marrin nga agjencitë ligjzbatuese.

Bashkëpunimi tashmë me biznesin, dhomat e tregtisë, me grupet e interesit do të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe uljen e rasteve korruptive.

Por pavarësisht rezultateve pozitive të arritura përgjatë vitit 2018, jemi të vetëdijshëm që ende shumë kemi për të bërë duke vijuar edhe përgjatë vitit 2019 me të njëjtat objektiva, si një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, por edhe në zbatim të rekomandimeve të BE-së.

Viti 2019, me rezultatet e reja dhe të reformës në drejtësi do të shënojë përmirësim të ndjeshëm të uljes së perceptimit të korrupsionit.

Në mbyllje të kësaj fjale, por sigurisht jo të fundit për nga rëndësia, më lejoni të falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe në mënyrë të posaçme Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, për mbështetjen e pakursyer që na ka dhënë në këtë sfidë të vështirë dhe mjaft komplekse siç është lufta kundër korrupsionit.

Mbështetje politike, por edhe me ekspertizë shumë të vyer për të arritur atë efikasitet të luftës antikorrupsion që nevojitet, për të arritur standardet evropiane që synojmë të gjithë.

Ky është vetëm fillimi i kësaj lufte tepër të rëndësishme. Viti 2019 do të shënojë rezultate domethënëse dhe nëpërmjet ngritjes së institucioneve të reja dhe zbatimit të reformës në drejtësi që në këtë moment është e pandalshme.

Përfitoj nga rasti duke mbajtur në konsideratë se nesër dhe pasnesër do të mbahen dy mbledhjet më të rëndësishme për dhënien jetë të dy organeve qeverisëse të sistemit të Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të inkurajoj të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët të marrin pjesë në mbledhjet e përgjithshme respektive, për të ushtruar detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre në zgjedhjen e kandidatëve të KLGJ-së dhe KLP-së.

Inkurajoj dhe nxis dhe drejtuesit e mbledhjeve të përgjithshme respektivisht për gjyqtarë dhe prokurorë për të garantuar një proces të drejtë, transparent, të qetë për t’i treguar qytetarëve se gjyqtarët dhe prokurorët kanë kurajë për zbatimin e reformës në drejtësi.

Më lejoni tani t’ia jap fjalën ambasadorit të delegacionit të BE, z. Luigi Soreca.