I nderuar z. Sensburg,
I nderuar Drejtor i Shkollës,
Të nderuar magjistratë të ardhshëm
Të nderuar kolegë gazetarë dhe pjesëmarrës,
Jam vërtet e nderuar sot që presim në mesin tonë, një nga miqtë më të mire dhe mbështetësit më të fortë të Shqipërisë në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian, z. Patrick Sensburg, deputet i Parlamentit gjerman.
Patrik vjen nga një eksperiencë e gjatë si jurist dhe profesor në Gjermani dhe ka qenë gjithmonë një mbështetje e fortë për Shqipërinë në Parlamentin Gjerman, por njëkohësisht theksoj edhe për mua si Ministre Drejtësie. Kemi pasur mundësinë të takohemi disa herë në Berlin dhe për z.Sensburg është hera e parë që vjen në Tiranë. Kanë qenë pikërisht këto takime të cilat na kanë ndihmuar edhe ne për të përçuar zërin dhe rezultatet tona sa i përket reformës në drejtësi.
Falë angazhimit të tij, por edhe njëkohësisht disa deputetëve të koalicionit të CDU/CSU si dhe kancelarisë gjermane, unë sot jam më se e bindur që deputetët gjerman ashtu si edhe publiku janë të mirëinformuar mbi reformat e forta shtetformuese që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit dhe që, nëse ne në tetor do të kemi një dritë jeshile për hapjen e negociatave, do të jetë edhe për shkak të mbështetjes që na kanë në rrugëtimin tonë z. Sensburg personalisht por edhe miqtë e Shqipërisë.
Sigurisht që sot jam vërtet e nderuar që i kemi krijuar mundësinë z. Sensburg për të mbajtur leksionin e tij të hapur në shtëpinë e re të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në Polin e Drejtësisë.
Pavarwsisht skepticizmit që ka pasur shpeshherë edhe ndërmjet pedagogëve të Shkollës së Magjistraturës për të ndryshuar godinën dhe për të ardhur në këtë godinë të re, entuziazmi i cili në atë kohë ka munguar, sot vihet re jo vetëm mes pedagogëve por edhe mes studentëve.
Kjo godinë, është treguesi më i mire që reforma në Drejtësi është e pakthyeshme dhe që reforma në Drejtësi do të ndryshojë rrënjësisht fytyrën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Reforma në sistemin e drejtësisë nuk lidhet vetëm me krijimin e një mënyre të re të organizimit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor apo me ngritjen e disa institucioneve të reja.
Më së pari, reforma në sistemin e drejtësisë është një përpjekje e rëndësishme për të përmbysur mentalitetin e krijuar në një klasë të politikës por edhe gjyqësorit që ishin të paprekshëm dhe të gjithpushtetshëm.
Nëpërmjet kësaj reforme, ne kemi goditur në zemër pandëshkueshmërinë dhe mungesën e llogaridhënies së njeriut të veshur me pushtet dhe kemi krijuar besimin dhe shpresën tek qytetarët shqiptar se e nesërmja do të jetë më e mirë dhe që ky vend mund të bëhet.
Kur kthej sot kokën pas, e kuptoj që në të vërtetë, 5 vjet, që kur ne filluam punën për reformimin e sistemit të drejtësisë, nuk janë asgjë, përkundrejt rezultateve të jashtëzakonshme që kemi arritur në këtë moment me zbatimin e reformës në drejtësi.
Dhe këto ndryshime nuk janë vetëm në ligjet që ne kemi miratuar apo në godinat e reja apo infrastrukturën që qeveria shqiptare ka mbështetur.
Më së shumti janë ndryshime në mendjen së pari të magjistratëve që tashmë kanë kuptuar rolin që janë në shërbim të qytetarëve për të dhënë drejtësi dhe vetëm drejtësi, po ashtu edhe për qytetarët të cilët kanë filluar tashmë të kuptojnë në dyert e gjykatave shqiptare do gjendet drejtësia dhe jo padrejtësia.
Dhe për mua kjo është arritja më e madhe: Kthimi i besimit të qytetarëve tek organet e drejtësisë.
Për qeverinë, arritja e këtij qëllimi, justifikon çdo shpenzim të nevojshëm buxhetor dhe për këtë qëllim i kemi dhënë mbështetje të pakursyer zbatimit të reformës në drejtësi.
Anëtarët e organeve të vettingut ushtrojnë funksionet e tyre në ambiente modern dhe të përshtatshme pune, si dhe sot janë ndër zyrtarët publik më të mirëpaguar në sistemin e pagave në vend.
Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë i është miratuar buxheti dhe ata sot janë duke funksionuar më së miri dhe duke ndërmarr vendime apo masa të cilat janë shumë të rëndësishme për vijueshmërinë e zbatimit të reformës në drejtësi, ku njëkohësisht u janë përmbushur plotësisht kërkesat për strukturat organike ashtu edhe në buxhet.
Këshilli i Ministrave ka miratuar buxhetin fillestar të SPAK si dhe fondet e nevojshme për përshtatjen e zyrave të reja të punës së SPAK me qëllim që me ngritjen e tij, të ketë në dispozicion çdo burim financiar dhe njerëzor të nevojshëm për të luftuar pa kompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo që është më e rëndësishmja për të zhdukur njëherë e përgjithmonë, kulturën e pandëshkueshmërisë në shoqërinë shqiptare.
Ne sot, të gjithë bashkërisht duhet të jemi krenar për çfarë kemi arritur. Kemi rrëzuar një sistem të kalbur dhe nga kemi ringritur një sistem të ri nga themelet.
Jam e sigurt që eksperienca jonë, dhe arritjet tona, do të jenë shembull për t’u ndjekur nga shumë vende të rajonit, apo edhe vende të tjera që sot mbase edhe janë vende anëtarë të Bashkimit Europian.
Prandaj diskutime të tilla i shërbejnë mjaft mirë dhe duhet të shfrytëzojmë momentin jo vetëm për të vlerësuar arritjet, por njëkohësisht edhe për të diskutuar me një një grup më të gjerë profesionistësh, gazetarësh, magjistratësh të rinj. Për këtë arsye doja t’ju falënderoja të gjithëve për pjesëmarrjen në këtë takim.
Në mbyllje, dua të falënderoj z. Sensburg që pranoi ftesën tonë për të mbajtur një leksion të hapur këtu në mjediset e Shkollës së Magjistraturës dhe ta ftoj për të dëgjuar eksperiencën e tij.
Pavarësisht se drejtori i shkollës u shpreh se kjo ishte një dëshirë, një kërkesë, e deputetit, njëkohësisht duhet theksuar se ka qenë një kërkesë ë kahershme për të kryer aktivitete dhe diskutime të përbashkëta lidhur me ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi.
Unë e ftoj z. Sensburg të na tregojë për eksperiencën e tij dhe njëkohësisht si e ka gjetur zbatimin e reformës në drejtësi apo disa nga rezultatet kryesore, duke na premtuar njëkohësisht mbështetje për Shkollën e Magjistraturës mbi rritjen e kapaciteteve dhe shkëmbimin e eksperiencave.
Njëkohësisht duke pasur mbështetjen e Gjermanisë edhe për një vendim të rëndësishëm për Shqipërinë që është vendimi për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Ju falënderoj shumë që jeni këtu mes nesh!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.