» Task Forca Antikorrupsion, kallëzim penal për 6 drejtues institucionesh
Postuar më: 07/07/2018

Task Forca Antikorrupsion, kallëzim penal për 6 drejtues institucionesh

Një ndër angazhimet kryesore të qeverisë që në ditën e parë të mandatit dhe në vazhdim ka qenë dhe është lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarit.

Tashmë, është e qartë për të gjithë se suksesi i përpjekjeve të qeverisë është i lidhur ngushtë me bashkëpunimin e qytetarëve, të cilët janë të parët që ndeshen me aktet korruptive, apo me shfaqjet e abuzimit me detyrën të drejtuesve dhe punonjësve të institucioneve publike.

Nisur nga ankesat dhe denoncimet e qytetarëve në Platformën Shqipëriaqëduam.al, për veprime abuzive, ose raste korruptive nga administrata publike, me vendim të Këshillit të Ministrave, në prill 2018, është ngritur Task Forca ndërinstitucionale antikorrupsion, e cila drejtohet nga Ministri i Drejtësisë.

Task Forca Antikorrupsion ka në përbërje të saj drejtuesit dhe stafet e institucioneve, apo drejtorive, që janë të lidhura drejtpërdrejt me inspektime dhe kontrolle për rastet e paligjshmërisë, si Inspektoratin Qendror, Njësinë e Transparencës dhe Antikorrupsionit në Kryeministri, Agjencinë e Prokurimeve Publike, dhe Zyrën Operacionale të Situatës në Kryeministri.

Gjatë periudhës 2 mujore, maj – qershor 2018, Task Forca Antikorrupsion ka ushtruar kontroll me synim evidentimin e praktikave abuzive, korruptive dhe arbitrare në 35 institucione qendrore ku ofrohet shërbim ndaj qytetarëve.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, kanë rezultuar shkelje ligjore dhe administrative të drejtuesve dhe punonjësve të këtyre institucioneve, një pjesë e të cilave arrijnë në kufijtë e veprës penale.

Më lejoni që në cilësinë edhe të Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, të deklaroj se kemi konstatuar që bashkëpunimi i qytetarëve me strukturat antikorrupsion po jep rezultate konkrete në evidentimin dhe ndëshkimin e nëpunësve të ndryshëm, deri në nivele drejtuese, të cilët me aktet e tyre abuzive kanë shkelur në mënyrë të hapur ligjin.

Vetëm për periudhën maj-qershor 2018, Task Forca Ndërinstitucionale Antikorrupsion i ka rekomanduar Ministrave dhe drejtuesve të përgjithshëm 172 masa disiplinore, prej të cilave 28 largime nga detyra.

Largimet nga detyra përfshijnë një numër të lartë punonjësish dhe një sërë drejtuesish të zyrave rajonale të hipotekës, ALUIZNIT, Tatimeve, AKU-së, inspektorateve, Drejtorive Bujqësore, etj.
Konkretisht janë larguar nga detyra 4 drejtues drejtorish, 5 përgjegjës sektorësh dhe 19 specialistë.

Nga kontrollet e ushtruara prej Task Forcës Antikorrupsion, janë depozituar në organin e Prokurorisë, edhe 3 kallëzime penale, për 6 drejtues të niveleve të ndryshme të administratës.
Kallëzim penal për Regjistruesin e ZVRPP-së, Krujë, për shkelje ligjore të rënda që plotësojnë elementet e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Nga kontrollet janë konstatuar vonesa pa asnjë justifikim të praktikave të qytetarëve, veprime të dyshuara për korrupsion lidhur me certifikatat e pronësisë, mungesë transparence për menaxhimin e aplikimeve të qytetarëve, etj.

Është depozituar kallëzim penal për drejtorin e ALUIZNI-t, Sarandë, dhe për tre përgjegjës të po kësaj drejtorie, të sektorit të legalizimit dhe planifikimit urban dhe të sektorit të kalimit të pronësisë, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke legalizuar sipërfaqe në letra më të mëdha se ato në realitet si dhe për mos respektim të afateve dhe procedurave për rastet e legalizimeve.

Po ashtu, është kryer kallëzim penal për përgjegjësin e sektorit të asistencës dhe shërbimit ndaj tatimpaguesve në Drejtorinë Tatimore Rajonale, Vlorë, ku dyshohet për kryerjen e veprimeve që lidhen me shpërdorimin e detyrës.
Duke marrë shkas nga rëndësia që ka për qytetarët, si dhe për shkeljet që janë evidentuar, shpreh bindjen e plotë se Prokuroria do të veprojë sa më shpejt për hetimin e gjithanshëm dhe zbardhjen e rasteve, si dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të kallëzuar dhe çdo personi të implikuar në këto çështje.

Tashmë kemi hyrë në një fazë të thelluar të luftës kundër korrupsionit ku do të kërkonim jo vetëm mbështetjen e institucioneve të hetimit dhe të gjykimit, por edhe të inkurajonim edhe një herë, të gjithë qytetarët, që të na bashkohen në këtë luftë të përbashkët kundër korrupsionit dhe abuzimit me detyrën, si e vetmja mundësi për të ndryshuar njëherë e mirë kulturën dhe praktikën e pandëshkueshmërisë.

Kontrollet e Task Forcës Antikorrupsion, në bazë të denoncimeve të qytetarëve, do të vijojnë pranë të gjitha institucioneve që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve, duke synuar ndëshkimin e praktikave abuzive, korruptive dhe arbitrare dhe marrjen e masave të duhura për rikthimin e ligjshmërisë në këto institucione.

Dua të shpreh angazhimin e qeverisë, se çdo denoncim i juaj do të vlerësohet me seriozitetin maksimal dhe asnjë tolerim nuk do ketë për këdo nëpunës të administratës publike që do të guxojë të abuzojë me detyrën apo të kryejë veprime korruptive.