» Rekomandime për Prokurorinë
Postuar më: 30/04/2018

Rekomandime për Prokurorinë

Tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, ka prezantuar përpara Kryeprokurores Arta Marku dhe drejtuesve të prokurorive në rrethe Rekomandimet Prioritare në luftën kundër kriminalitetit të miratuara nga Këshilli i Ministrave për vitin 2018. “Lufta me tolerancë zero ndaj korrupsionit, sidomos korrupsionit në nivelet e larta dhe sekuestrimi e konfiskimi i të ardhurave me origjinë kriminale, apo pasurisë së pajustifikuar të vënë nga korrupsioni zyrtar është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare, njëkohësisht edhe një nga kriteret që kushtëzon integrimin evropian të vendit”, u ka thënë Gjonaj prokurorëve. Lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit, sidomos në nivelet e larta, janë prioritetet e Qeverisë Shqiptare dhe njëkohësisht rekomandimet më të rëndësishme që Ekzekutivi i bën organit të Prokurorisë. Duke folur për Reformën në Drejtësi si një objektiv kryesor i Qeverisë, ministrja Gjonaj është ndalur edhe në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ministrja e Drejtësisë ka inkurajuar Prokurorët për të kryer detyrën e tyre me përkushtim dhe ndershmëri, në zbatim dhe vetëm për zbatim të ligjit.