» Prezantohet projekti i punësimit në IEVP-në, Berat
Postuar më: 22/06/2018

Prezantohet projekti i punësimit në IEVP-në, Berat

 

Një projekt për punësimin e personave që vuajnë dënimin në burgun e Beratit është përuruar sot në mjediset e këtij institucioni. Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë zëvendësministri i Drejtësisë, z. Toni Gogu, deputetët e qarkut të Beratit, përfaqësues të Prefekturës dhe Bashkisë, si dhe përfaqësues të Avokatit të Popullit.

Projekti i punësimit në IEVP-në, Berat, do të zhvillohet në bashkëpunim me shoqërinë “Intex Sh.p.k.”, një biznes fason i specializuar në qepjen e rrobave të punës. Kjo kompani në bazë të një marrëveshjeje ligjore ka vendosur në ambientet e IEVP-së, Berat, 25 makina qepëse, që do të shërbejnë për trajnimin dhe më pas punësimin e personave të dënuar e të paraburgosur.

Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Toni Gogu, duke e marrë fjalën në këtë ceremoni ka theksuar se: “Programi i punësimit në burgje, së bashku me arsimin dhe formimin profesional janë aspektet më të rëndësishme të rehabilitimit të të dënuarit pas kryerjes së dënimit. Kjo është një sfidë që kërkon përfshirjen e sektorit privat, ku gjej rastin t’i falënderoj, si dhe modernizimin e bazës ligjore”.

Në fund të muajit maj të këtij viti në burgun e Beratit ka filluar kursi për rrobaqepës, ku aktualisht marrin pjesë 26 të dënuar dhe të paraburgosur, të ndarë në dy grupe. Trajnimi i personave po kryhet në bashkëpunim me Qendrën e Formimit Profesional, Fier.

Pas përfundimit të kursit, të dënuarit dhe të paraburgosurit e certifikuar do të fillojnë punë në subjektin “Intex Sh.p.k.”, punë e cila do të kryhet në ambientet e IEVP-së, Berat. Gjatë ceremonisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka prezantuar edhe disa projekte të tjera në IEVP të ndryshme të vendit, të cilat janë në hapat e parë të ideimit dhe që do të shërbejnë për punësimin e të dënuarve apo të paraburgosurve në institucionet penitenciare.

Aktualisht në këtë sistem janë të punësuar 667 të dënuar apo të paraburgosur, nga vetë IEVP-të. Përfshirja e biznesit në këtë drejtim do të krijojë hapësirat e duhura që numri i të punësuarve në radhët e atyre që vuajnë dënimet penale të rritet.