» Prezantimi i Rekomandimeve Prioritare në luftën kundër kriminalitetit të miratuara nga Këshilli i Ministrave për vitin 2018
Postuar më: 23/04/2018

Prezantimi i Rekomandimeve Prioritare në luftën kundër kriminalitetit të miratuara nga Këshilli i Ministrave për vitin 2018

23 prill 2018

Fjala e mbajtur nga ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj në takimin e zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme, gjatë prezantimit të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit të miratuara nga Këshilli i Ministrave për vitin 2018. 

Jam sot këtu përpara jush për të prezantuar Rekomandimet Prioritare në luftën kundër kriminalitetit të miratuara nga Këshilli i Ministrave për vitin 2018

Rekomandimet Prioritare synojnë marrjen e masave për të garantuar funksionimin efektiv të shtetit të së drejtës, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të të drejtave të njeriut.

Këto Rekomandime jepen në ushtrim të përgjegjësisë shtetërore dhe në respektim të parimit themelor të kontrollit dhe ekuilibrimit reciprok të pushteteve.

Objektivi i Qeverisë Shqiptare për këtë mandat qeverisës është jetësimi i reformës në drejtësi, me qëllim garantimin e një sistemi drejtësie të pavarur, efiçent, të pakorruptuar, profesional dhe të aksesueshëm nga qytetarët.

Reforma në drejtësi synon forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor. Kjo reformë është thelbësore për Qeverinë Shqiptare, e cila ka dhënë dhe do të vijojë të japë gjithë mbështetjen e nevojshme infrastrukturore dhe financiare për funksionimin optimal të organeve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe organeve të reja të sistemit të drejtësisë.

Gjyqtarët dhe prokurorët po i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar. Jam besimplotë që ky proces – jo pak i vështirë dhe sprovues për secilin prej Jush – do të ndihmojë në rritjen e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së sistemit të prokurorisë dhe në rikthimin e besimit të publikut në punën dhe përkushtimin tuaj.

Largimi nga sistemi i prokurorëve të korruptuar, me lidhje me krimin  apo të paaftë do të ndihmojë pjesën e shëndoshë të prokurorëve, që t’i vlerësohet përkushtimi dhe puna e palodhur në luftën kundër kriminalitetit.

Gjatë vitit 2017, janë miratuar dhe kanë hyrë në fuqi ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale. Në zbatim të kuadrit ligjor tashmë në fuqi, Prokuroria funksionon si një organ i decentralizuar, duke garantuar mbarëvajtjen e veprimtarisë së saj, nëpërmjet respektimit të pavarësisë së brendshme të prokurorëve në ushtrimin e ndjekjes penale.

Pavarësi e brendshme që përkthehet për të gjithë ju në më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie për veprimet hetimore të kryera, të cilat kalojnë tashmë në filtrin e drejtpërdrejtë të gjykatës.

Dëshiroj me këtë rast edhe të sjell në vëmendjen tuaj dhe të Prokurores së Përgjithshme një fenomen që kemi ndeshur jo pak herë gjatë punës sonë këto muajt e fundit. Konstatohen mbyllje të cështjeve me vendime për mosfillim hetimi në një kohë kur, për të arritur në këtë konkluzion, rezulton se janë kryer një sërë veprimesh hetimore nga prokurori i cështjes. Kjo vendimmarrje është tërësisht e paligjshme: përjashton kontrollin gjyqësor mbi veprimet e prokurorit dhe akoma më keq – atje ku nuk ka palë të interesuara  që mund të paraqesin ankim – shkel parimin e detyrueshmërisë së ndjekjes penale.

Për më tepër se një vit pushoi së ekzistuari drejtoria e inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, në kundërshtim kjo me dispozitat kalimtare të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, duke bërë të pamundur hetimin e shkeljeve disiplinore nga Prokurori i Përgjithshëm, nëpërmjet inspektorëve të Prokurorit të Përgjithshëm.

Shkrirja e kësaj strukture ndikoi negativisht edhe në procesin e rivlerësimit profesional të prokurorëve. Gjithsesi, kjo situatë tashmë është kthyer në normalitet me emërimin e Prokurores së Përgjithshme e cila në kuadër të riorganizimit të Prokurorisë së Përgjithshme ka urdhëruar ngritjen e Sektorit të Hetimit Disiplinor.

Lufta me tolerancë zero ndaj korrupsionit, sidomos korrupsionit në nivelet e larta dhe sekuestrimi e konfiskimi i të ardhurave me origjinë kriminale, aseteve kriminale apo pasurisë së pajustifikuar të vënë nga korrupsioni zyrtar është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare, njëkohësisht edhe një nga kriteret që kushtëzon integrimin evropian të vendit. Ngritja e Prokurorisë së posaçme për hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar do të japi një tjetër dimension mënyrës së hetimit dhe procedimit penal të këtyre veprave penale.

Zbatimi i reformës në drejtësi është një proces i rëndësishëm dhe me rol të padiskutueshëm në fushën e ndëshkimit të korrupsionit, në vlerësimin e gjyqtarëve, parandalimin e korrupsionit në gjyqësor, si dhe në hetimin e korrupsionit.

Nga statistikat dhe nga monitorimet e organizmave ndërkombëtarë rezulton se numri i çështjeve të dërguara për gjykim dhe i të dënuarve me formë të prerë mbetet ende i vogël. Sistemi shqiptar i drejtësisë ka ende pak ndjekje të suksesshme ose dënime për korrupsion të nivelit të lartë.

Për këtë arsye rekomandojmë rritjen e hetimeve proaktive dhe teknikave speciale të hetimit; kryerjen e hetimeve sistematike pasurore dhe rritjen e numrit të aseteve të sekuestruara që prej fazës së tyre fillestare të hetimit dhe konfiskimin e tyre në përfundim; hetime të shpejta dhe bashkëpunim me agjensitë ligjzbatuese vendase si dhe ndërkombëtare; përmirësim i cilësisë së hetimeve të kryera; ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit; forcim të kapaciteteve profesionale nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta me agjensitë ligjzbatuese; rritjen e cilësisë së mbajtjes dhe raportimit të të dhënave statistikore duke rritur profesionalizmin e burimeve njërëzore dhe zhvillimin e sistemit elektronik të teknologjisë së informacionit.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme është një element shumë i rëndësishëm në përmbushjen e standardeve në kuadër të integrimit të Shqipërisë dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. Lufta pa kompromis dhe ndëshkimi i ashpër penal ndaj grupeve dhe organizatave kriminale, duke goditur çdo aset ekonomik të paligjshëm të tyre, është prioritet absolut i Qeverisë.

Për realizimin e këtij objektivi, prioritet duhet të jetë forcimi i kapaciteteve dhe aftësive vepruese të agjencive të zbatimit të ligjit në hetimin financiar; identifikimi i sfidave dhe mënyrës së adresimit të sistemeve informale të qarkullimit të parave, të cilat ndikojnë në mundësinë e pastrimit të produkteve të veprës penale; rritja e numrit të hetimeve proaktive dhe financiare për pastrimin e parave dhe trafikimin e drogës; rritja e konfiskimit të pasurisë së fituar në rrugë kriminale, me qëllim dobësimin e financave të grupeve të strukturuara kriminale si dhe forcim i bashkëpunimit me agjensitë ligjzbatuese vendase dhe ndërkombëtare në funksion të efektivitetit të hetimeve për grupet e strukturuara kriminale që lidhen sidomos me trafikimin e narkotikëve, pastrimit të parave, financimin e terrorizmit, trafikimin e qënieve njerëzore, etj.

Qeveria shqiptare është e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe, në mënyrë të veçantë, për të zbatuar më tej politikat e anti-diskriminimit, përmirësimin e gjendjes me të drejtat sociale, me fokus të veçantë te grupet vulnerabël dhe të miturit.

Qeveria ka vlerësuar maksimalisht edhe fenomenin e dhunës në familje, duke e referuar atë si objektiv në programin qeverisës të saj 2017–2021, nëpërmjet programeve, iniciativave dhe strategjive për adresimin më të mirë të rasteve të dhunës në familje.

Në këtë kuadër Reforma në drejtësi ka përmirësuar dukshëm legjislacionin penal lidhur me të drejtat e viktimës dhe të fëmijve në funksion të garantimit të procesit të rregullt ligjor për të miturit dhe gratë viktima të dhunës në familje.

Të miturit në sistemin e drejtësisë penale përbëjnë një kategori vulnerabël ndaj edhe mbrojtja e tyre përbën një ndër objektivat strategjikë më të rëndësishëm të reformës në sistemin e drejtësisë penale. Garantimi i drejtësisë miqësore dhe realizimi i interesit më të lartë të fëmijës është qëllimi i ndryshimeve ligjore dhe synimi që kërkohet të realizohet.

Me qëllim garantimin e të drejtave të gjithë subjekteve të procedimit penal, me fokus të miturit dhe viktimat e dhunës në familje, si një garanci e shtuar lidhur me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përgjatë procesit penal, është e domosdoshme që këto ndryshime të rëndësishme ligjore të njihen dhe të zbatohen nga oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët. Është e nevojshme rritja e profesionalizmit nëpërmjet trajnimeve specifike dhe përmbushja e detyrimeve ligjore prej tyre nëpërmjet zbatimit korrekt të ligjit.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon domosdoshmërisht koordinim ndërinstitucional midis organit të prokurorisë dhe gjithë institucioneve dhe agjencive të tjera ligjzbatuese. Shumë i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi ndërkombëtar me agjencitë analoge. Shkëmbimi i shpejtë i informacionit dhe kryerja e operacioneve të përbashkëta ndikojnë drejtëpërdrejtë në rritjen e efektivitetit të hetimeve ndaj grupeve të strukturuara kriminale.

Një hov të rëndësishëm në këtë drejtim, do ta japë edhe lidhja e marrëveshjes me Eurojust, dhe përfaqësimi i Shqipërisë në të me një prokuror ndërlidhjeje, objektiv për të cilin jemi duke punuar intensivisht gjatë kësaj periudhe.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, një fushë me rëndësi të veçantë është ajo e marrëdhënieve juridiksionale me autoritet e huaja në fushën penale. Para së gjithash, bashkëpunimi ndërkombëtar në këtë fushë kërkon fillimisht koordinimin ndërinstitucional midis organit të prokurorisë dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese apo institucioneve të tjera që marrin pjesë aktive në proces.

Me qëllim garantimin e të drejtave të gjithë subjekteve të procedimit penal, në çështjet që kanë për objekt ekstradimin, si një garanci e shtuar lidhur me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përgjatë procesit penal, është e domosdoshme dhe e nevojshme rritja e koordinimit dhe bashkëpunimit midis organeve ligjzbatuese dhe Prokurorisë së Përgjthshme. Pavarësisht bashkëpunimit të vazhdueshëm, shihet e nevojshme përmirësimi i disa procedurave, me qëllim rritjen e efektivitetit.

Në këtë kuadër, vlerësohet më rëndësi forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet drejtorive përkatëse të Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, me qëllim shkëmbimin në kohë reale të informacionit, përmirësimin e cilësisë së akteve dhe shpejtësisë së kryerjes së veprimeve proceduriale, në kuadër të ekzekutimit të ekstradimeve dhe letërporosive, në mënyrë të veçantë  për çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë kuadër, do të inkurajoja lidhjen e një marrëveshjeje/protokolli bashkëpunimi të përbashkët lidhur me ekstradimeve dhe letërporosive si dhe ndërlidhjen e sistemeve të informatizuara për marrëdhëniet juridiksionale me jashtë mes dy institucioneve tona, cka do të kontribuojë në unifikimin e të dhënave dhe rritjen e efikasitetit të komunikimeve.

Jam e bindur që fuqizimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes institucioneve tona ligjzbatuese do të sjellë rezultate më të mira dhe konkrete në luftën kundër kriminalitetit.

I uroj Prokurores së Përgjithshme suksese në misionin e saj, një mission tepër të vështirë si dhe inkurajoj të gjithë drejtuesit e prokurorisë dhe prokurorët për të kryer detyrën e tyre me përkushtim dhe ndershmëri, në zbatim dhe vetëm për zbatim të ligjit.