» Ministrja Gjonaj takim me homologun italian z. Bonafede
Postuar më: 25/05/2019

Ministrja Gjonaj takim me homologun italian z. Bonafede

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, z. Enzo Moavero Milanesi dhe të Presidentit të Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit (ANAC), z. Raffaele Cantone, Gjonaj merr pjesë në Konferencën e prezantimit të Raportit të Dytë të Italisë në kuadër të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC).

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Romë. Gjatë kësaj vizite, znj. Gjonaj u takua me homologun e saj, Ministrin e Drejtësisë së Italisë, z. Alfonso Bonafede. Ky ishte takim i dytë pas takimit të muajit Shtator 2018 në Romë ndërmjet dy ministrave, për të diskutuar mbi bashkëpunimin e mëtejshëm midis dy vendeve.

Në fokus të bisedimeve dypalëshe ishin marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe veçanërisht bashkëpunimi ndërmjet dy Ministrive të Drejtësisë. Të dy ministrat theksuan rëndësinë e vazhdimësisë dhe thellimin e këtij bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe të marrëdhënieve juridiksionale dypalëshe. Pjesë e diskutimit ishte dhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe zbatimit të rregjimit të posaçëm për të dënuarit 41 bis, rregjim i miratuar së fundmi në legjislacionin tonë i ngjashëm me modelin italian. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të mundësohet dhe ofrimi i ekspertizës italiane dhe vizitat e përbashkëta të stafeve penitenciare për zbatimin e këtij rregjimi dhe masave të shtuara të sigurisë.

Çështjet e krimit të organizuar dhe zbatimi i 41 bis, ka qënë temë diskutimi edhe në takimin e ministres Gjonaj me Prokurorin Kombëtar antimafia dhe antiterror, z. Cafiero de Raho, ku ky i fundit vlerësoi bashkëpunimin midis Italisë dhe Shqipërisë për rezultatet e grupeve hetimore të përbashkëta.

Në vijim, Znj. Gjonaj me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, z. Enzo Moavero Milanesi dhe të Presidentit të Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit (ANAC), z. Raffaele Cantone, mori pjesë në Konferencën e prezantimit të Raportit të Dytë të Italisë në kuadër të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC).

Shqipëria është anëtare e UNCAC që nga Dhjetori i vitit 2006. Shqipëria ka ndërmarrë gjatë këtyre viteve të fundit një sërë masash në zbatim të angazhimeve nga UNCAC, sidomos në aspektin e parandalimit të korrupsionit, forcimit të kapaciteteve dhe krijimin e strukturave solide në luftën kundër korrupsionit.

Në konferencë të ftuar ishin Ministri i Drejtësisë, z. Bonafede dhe znj. Paola Severino, një nga figurat me të spikatura në fushën e drejtësisë dhe të antikorrupsionit.

Ministri Moavero gjatë fjalës së hapjes falenderoi ministren Gjonaj për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë që ka angazhimi i vazhdueshëm i të gjitha vendeve ndaj bashkëpunimit shumëpalësh dhe çështjeve anti-korrupsion.