» Ministrja Gjonaj takohet me komisioneren Jourova
Postuar më: 22/06/2018

Ministrja Gjonaj takohet me komisioneren Jourova

 

 

Revolucionare dhe shumë të guximshme, e ka konsideruar Reformën në Drejtësi që ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare, komisionerja për Drejtësinë, Konsumatorin dhe Barazinë Gjinore në Komisionin Evropian, znj. Vera Jourova.

Gjatë një takimi që Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj zhvilloi në Bruksel me komisioneren Vera Jourova është diskutuar gjerësisht lidhur me Reformën në Drejtësi, ecurinë dhe arritjet e deritanishme në zbatimin e saj në praktikë.

Komisionerja Jourova i konsideroi përpjekjet për të reformuar sistemin e drejtësisë si mbresëlënëse dhe shprehu bindjen që Reforma në Drejtësi do të mbetet një ngjarje historike në zhvillimin e Shqipërisë. Ajo e siguroi ministren Gjonaj për mbështetjen e Komisionit Evropian në zbatimin e Reformës, si dhe e inkurajoi atë për të ecur me ritme sa më të shpejta në këtë drejtim.

Ministrja Gjonaj në përgjigje të interesimit të Komisioneres, foli gjerësisht për mënyrën se si institucionet e reja të drejtësisë do të jenë të pavarura nga ndikimi i politikës, kjo si rezultat i mekanizmave të ngritura, që garantojnë pavarësinë e organeve të reja.

Ministrja Gjonaj shprehu kënaqësinë që do të mirëpresë Komisioneren Jurova në takimin  e ministrave të Drejtësisë dhe të Brendshëm të vendeve të BE-së dhe vendeve të rajonit në datat 4-5 tetor të këtij viti, i cili këtë herë do të mbahet në Tiranë. Kjo si shprehje e vlerësimit të progresit të arritur nga Shqipëria deri tani dhe rëndësisë që ka forcimi i shtetit të së drejtës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Takimi i ministrave në tetor dhe vizita e Komisioneres Jurova do të shërbejë edhe si një mundësi e mirë për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me EUROJUST-in, me qëllim forcimin e përpjekjeve të autoriteteve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Gjatë vizitës zyrtare në Brukel, Ministrja Gjonaj ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e Grupit të Këshillit për Ballkanin Perëndimor (COWEB) ku pati mundësinë t’i njohë ata me rezultatet më të fundit të Reformës në Drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.

Pjesë e vizitës dy ditore të Ministres Gjonaj do të jenë dhe takimet me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, z. Christian Danielsson, si dhe një bashkëbisedim me organizatat e shoqërisë civile në Bruksel, organizuar nga Qendra e Politikave Evropiane.